12:52 / E Enjte, 19 Mars 2020 / indeksADMonline

QKUK heq për herë të parë gjakun e ngjizur në arterin e trurit, në mënyrë mekanike

Për herë të parë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Klinika e Radiologjisë, është realizuar heqja e gjakut të ngjizur në arterien e trurit në mënyrë mekanike (trombektomia mekanike e M2 segmentit të arteries cerebri media majtas) me metodë radiologjike neurointervente minimale invazive, bëhet e ditur në një njoftim të QKUK-së.

Kjo nënkupton se 62 vjeçari i cili kishte pësuar sulm në tru, dhe ju kishte paralizuar dora dhe këmba e djathtë, tashmë ka filluar të lëvizë, e po ashtu edhe zëri i është kthyer, transmeton IndeksOnline.

“Realizimi i kësaj metode është bërë pas investimeve në Stroke Center,  trajnimeve të stafit dhe blerjes së materialit  që ka bërë menaxhmenti i ShSKSUK-së, i udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK, Basri Sejdiu dhe me përkrahje dhe nga  Ministria e Shëndetësisë.Procedura u krye pa komplikime, tek pacienti mashkull i moshës 62 vjeç, i cili kishte dorën e palëvizshme dhe këmbën e djathtë të dobësuar, pas procedurës i është  kthyer menjëherë lëvizshmëria e dorës së djathtë. Poashtu, të folurit e humbur në tërësi,  kurse pas 12 orëve nga kryerja e procedurës, pacienti ka filluar të artikuloj zë dhe lëvizë lirshëm edhe me këmbë”, theksohet në njoftimin e QKUK-së. 

QKUK bën të ditur se kjo procedurë u mundësua si rezultat i planifikimit, projektimit, aftësimeve të realizuara në botë dhe në Zagreb, Kroaci  dhe bashkëpunimit ndërmjet Klinikës së  Radiologjisë, Klinikë së Neurologjisë, Klinikës  Emergjente  dhe Klinikës e Anesteziologjisë.

“Brenda 3 apo 4 orëve pas sulmit në tru, procedurën  e kanë realizuar ekipi i radiologëve, Dr. Bujar Gjikolli, Dr. Arben Kutllovci, përkrahur nga radiologët kujdestar Dr. Agron Arifi, Dr. Ilir Bejta, me referimin e neurologëve kujdestar Dr. Rushit Jashari, Dr. Valbona Spanca e Dr. Milaim Krasniqi, me asistimin e teknikëve të radiologjisë Shekfi Bytyqi, Ariana Neziri”, thuhet në njoftim.

Klinika e Radiologjisë, është e pajisur me materiale për  të plotësuar nevojat e  pacientëve me infarkte në tru.

Po punon në ngritjen e kapaciteteve për realizimin e tyre, kurse në proces është edhe blerja e një angiografi të avancuar  për të përkrahur këto procedura në nivel bashkëkohor.