QKUK-ja përballet me mungesë të glukozës, nuk gjendet lehtë as në farmaci

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) tashmë disa muaj po përballet me mungesë të theksuar të glukozës, një nga përbërësit më bazikë dhe të domosdoshëm në trajtimin e pacientëve.
Kjo mungesë ka krijuar vështirësi në repartet spitalore, shkruan IndeksOnline.
Për shkak të kësaj situate, pacientët dhe familjarët e tyre janë të detyruar ta blejnë vetë glukozën në barnatore. Por, edhe aty gjendja është problematike, pasi glukoza nuk po gjendet lehtë nëpër farmaci, pasi kërkesa është rritur ndjeshëm dhe furnizimi është i kufizuar.
Shumë qytetarë janë detyruar të vizitojnë disa barnatore për ta gjetur, ose në raste të caktuara, nuk kanë mundur ta siguronin fare në kohë.
Kjo nuk është hera e parë që QKUK-ja përballet me mungesë të barnave esenciale. Vetëm disa muaj më parë, spitali kishte mungesë të natrium kloridit (NaCl), një tjetër përbërës jetik për terapinë intravenoze. Edhe atëherë, pacientët u detyruan të furnizoheshin privatisht./IndeksOnline/