23:17 / E Martë, 08 Maj 2018 / indeksADMonline

QKUK me staf të ‘vjetër’, në konkurse s’ka interesim të mjaftueshëm

Shumë punëtorë shëndetësorë të Qendrës Klinike Universitare po vazhdojnë të pensionohen. Vetëm në vitin e kaluar, 41 punëtorë të moshës 65 vjeç janë pensionuar.

Por, edhe në vitin 2018, për katër muaj 19 punëtorë kanë dalë në pension. Këto të dhëna i ka bërë të ditur, Skënder Shabani, shef i Sektorit të Personelit nga QKUK.

“Largimet për vitin 2017, si vijon: 21 punëtor me vetëdeshirë, pensionime- 41 punëtor/e- mosha 65 vjeç, 5 vdekje natyrore. Për vitin 2018 punëtorët që janë larguar janë: 19 punëtor në penzion, mosha 65 vjeç, 5 punëtor/e me vetëdeshirë, 1 vdekje natyrore”, ka thënë Shabani për Indeksonline.

Ai ka shtuar se shkaqet e largimeve të punëtorëve shëndetësorë janë disa me vetëdëshirë, e një pjesë bashkim familjar jashtë vendit.

Shabani ka bërë të ditur se gjatë vitit 2017 kanë hapur konkurs publik, ku kanë filluar punën mbi 50 infermierë. Ai ka theksuar se tani kanë në proces konkursin publik për mjek-specialist.

“Konkusr publik kemi pasur gjatë vitit 2017, ku nga ky konkurs kanë filluar punën mbi 50 infermier/e. Kemi në proces konkursin publik për mjek-specialist, 51 vende të hapura në QKUK-SHSKUK”, thuhet në përgjigjen e tij.

Mirëpo, në konkursin e hapur për mjek-specialist që është i publikuar në faqen SHSUK-së, shihet që është shpallur konkurs vetëm për 23 mjekë specialist për klinika e reparte të ndryshme.

Mirëpo, SHSKUK sot përmes një komunikate për media ka thënë se nuk ka pasur interesim të mjaftueshëm nga specialistët edhe pse janë hapur vende të lira pune. Sipas tyre, ka shumë pozita për të cilat nuk ka pasur asnjë aplikim.

“Në konkursin publik të shpallur nga ana e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës(SHSKUK) për vende të lira pune, për 22 profile të ndryshme mjekësore, ku u kërkuan 28 specialistë, në kuadër të Spitaleve të Përgjithshme, nuk ka pasur interesim të mjaftueshëm, edhe pse ekzistojnë vendet e lira të punës të aprovuara në buxhetin e vitit 2018″, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, për tre vjetët e fundit kanë ikur më shumë se 400 mjekë në vendet e Bashkimit Evropian./Indeksonline/