13:01 / E Martë, 04 Korrik 2023 / S Z

QKUK-së po i kthehen anesteziologët

Qendra Klinike Universitare,  viteve të fundit është braktisur nga profesionistë shëndetësor, disa nga të cilët kanë zgjedhur të punojnë në klinikat jashtë Kosovës, e disa prej tyre dhe në klinikat private brenda vendit.

E gjithë kjo si pasojë e kushteve dhe pagave të ulëta, të cilat kanë qenë për profesionistët shëndetësor. Por siç duket gjendja ka ndryshuar dhe se mjekët dalëngadalë po i kthehen QKUK-së.

Së fundi ka interesim të kthimit të mjekëve në QKUK.  Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) tashmë ka hapur konkursin për 4 mjekë specialistë të anestezionit, konkurs ky i cili është i hapur që nga data 21 qershor.

Tre anesteziolog pritet që së shpejti të kthehen nga institucionet private në QKUK. Këtë e konfirmoi për “Indeksonline” dhe drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK  Gazmend Spahija.

” E kemi hapur konkursin dhe se presim që tre anesteziolog të kthehen në QKUK nga klinikat private”, tha Spahiu.

E njëri nga anesteziologët të cilët pritet të kthehet në QKUK, nga një institucion privat i tha “Indeksonline” se ai do të jetë pjesë e këtij konkursi të hapur dhe se pritet që së shpejti të kthehet në QKUK, për ta ushtruar profesionin e tij.

“Po unë do të kthehem në QKUK. Rritja e pagave është njëra nga arsyet që unë po kthehem, por nuk është e vetmja”,  tha ai për Indeksonline.