10:38 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

QKUK-ja tregon gjendjen e policit të lënduar në Zhur, Artur Mrasori

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Artur Mrasori, mbrëmë është dërguar në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ai gjatë një aksioni policor në Zhur të Prizrenit, ka marrë plagë të mëdha.

IndeksOnline ka kontaktuar shefin e Repartit Intensiv, Shaqir Uka, i cili ka thënë se Mrasori mbrëmë i është nënshtruar një operacioni kirurgjik në sy.

32- vjeçari, sipas Ukës, ka humbur njërin sy, ndërsa tjetrin e ka me lëndime të rënda.

“32-vjeçari, pas lëndimeve të marra nga shpërthimi i eksplozivit, është  sjellë në Qendrën Emergjente, i janë bërë të gjitha ekzaminimet urgjente dhe pas tyre është dasht t’i nënshtrohet një intervinimi kirurgjik nga ana e mjekëve të kirurgjisë së syrit dhe të qafës, për shkak që ka marrë plagë nga eksplozive në regjionin e fytyrës, qafës, krahut të majtë dhe këmbës së majtë. Pas intervenimit kirurgjik pacienti vazhdon ende të trajtohet.

Për momentin mundemi të konfirmojmë se njëri sy është i humbur kurse syri tjetër është shumë i lënduar”, ka thënë për IndeksOnlinen, shefi i Repartit Intensiv ./IndeksOnline/