18:10 / E Hënë, 29 Tetor 2018 / indeksADMonline

QKUK tregon për gjendjen e të lënduarit nga aksidenti në Prishtinë

Qendra Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)  ka njoftuar se kanë pranuar një person të lënduar si pasojë e aksidentit të ndodhur pak më parë në lagjen “Bregu i Diellit” më saktësisht në udhëkryqin e rrugës “Rexhep Xheladini” në Prishtinë.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Shpend Fazliu për “Indeksonline” ka thënë se i lënduari ka pësuar lëndime trupore, por ai thekson se nuk bëhet fjalë për lëndime të rënda trupore.

“Ju konfirmojmë se një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në emergjencë si pasojë e aksidentit, por nuk bëhet fjalë për lëndime te rënda trupore”, ka thënë Fazliu për Indeksonline.

Ndërsa, Indeksonline mëson se nga aksidenti lëndime nuk ka pësuar reperi kosovar, Kastriot Rexha i njohur për publikun si “Majk”.

Vlen të përmendim se në aksident është përfshi vetura e reperit kosovar në fjalë e tipit “Porsche” dhe një tjetër, në të cilën ka pësuar lëndime të lehta një person.

Ndryshe, rasti është konfirmuar për Indeksonline edhe nga Policia e Kosovës. Komandanti i Policisë së Trafikut në kryeqytet, Milaim Fejzullahu ka thënë se e me rastin janë duke u marr njësitet përkatëse të policisë të cilët po shikojnë të gjitha rrethanat që karakterizojnë këtë aksident./Indeksonline/