Qorrolli: Reforma në sistemin prokurorial synon forcimin e pavarësisë

Sot, në Zyrën e Këshillit të Evropës në Kosovë është mbajtur takimi online mes Ministrisë së Drejtësisë dhe përfaqësuesve të Komisionit të Venecias. Temë qendrore e diskutimit thuhet se ishte draft-opinioni i radhës për Projektligjin mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në këtë takim, Ministrinë e Drejtësisë e përfaqësoi i dyti i kësaj ministrie, zëvendësministri në detyrë, Vigan Qorrolli, bashkë me shefin e kabinetit dhe këshilltarin e lartë, Genc Nimoni, drejtorin e Departamentit Ligjor, Lulzim Beqiri, ekspertin e jashtëm, Rinor Hoxha dhe dy zyrtaret e larta të Ministrisë, Lirikë Kamberi dhe Venera Maksuti.
Ndërsa nga përfaqësuesit e Komisionit të Venecias nga Sekretariati ishin, Taras Pashuk, Jorgen Steen Sorensen – anëtar nga Danimarka, Hanna Suchocka – eksperte dhe Presidente Nderi, si dhe Janneke Gerards – anëtare nga Holanda.
Siç ka njoftuar MD-ja, zëvendësministri në detyrë, ka theksuar përkushtimin e kësaj ministrie për të çuar përpara reformën në sistemin prokurorial. “Duke nënvizuar se reforma synon forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të prokurorisë në Republikën e Kosovës, si shtylla të domosdoshme për sundimin e ligjit dhe për besueshmërinë e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se gjatë takimit u prezantuan dhe diskutuan në mënyrë të detajuar aspektet kyçe të projektligjit, duke përfshirë procesin e hartimit, miratimit, sfidat dhe mundësitë që lidhen me zbatimin e tij.
“Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë ritheksuan gatishmërinë për të adresuar çdo rekomandim shtesë të Komisionit të Venecias, në mënyrë që projektligji të jetë plotësisht në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare”, thotë MD-ja.