11:57 / E Shtunë, 16 Qershor 2018 / indeksADMonline

Qosja: Politikanët po bëhen milionerë, qytetarët po varfërohen

Akademiku Rexhep Qosja thotë se në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e Kosovës është shtuar numri i milionerëve politikë që qajnë hallet e të varfërve, kurse në Kosovë po shtohet çdo ditë e më shumë numri i të varfërve.

Qosja, përmes një shkrimi të postuar në Facebook, thotë se  “në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës është shtuar numri i milionerëve politikë, që qajnë e vajtojnë hallet e të varfërve, kurse në Kosovë është shtuar numri i të rinjve e të rejave, që bëjnë çmos për të ikur prej atdheut të vet e për të gjetur shpëtim nga skamja në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Australi, në Zelandë të Re, në Turqi, në Japoni apo, madje, edhe në Korenë e Jugut”.

“Çfarë cinizmi tragjikomik përmban ai vajtim i milionerëve politikë e shtetërorë!”, ka shkruar Qosja.

Shkrimi i tij i plotë:

“MILIONERËT POLITIKË DHE TË VARFËRIT

Kosova e Re, shtet i lirë e i pavarur, por me sovranitet ende të gjymtuar, ka mjaft risi. Njëra prej këtyre risive të Kosovës së Re janë edhe milionerët e saj. Në mendjen time është krijuar pamja e dy lloj milionerëve të Kosovës së sotme: pamja e milionerit, të milionuar, domethënë të pasuruar, me djersë, me mund, me aftësi punuese e menaxhuese, në njërën anë, dhe pamja e milionerit të milionuar, të pasuruar turr, vrap, me punë politike, domethënë në sajë të pozitave politike, në të vërtetë duke shfrytëzuar e duke shpërdoruar pozitat politike e shtetërore!

Milionerët e llojit të dytë, të pasuruar në sajë të pozitave politike, janë temë çdo ditë e më e shpeshtë e bisedave, në të vërtetë ende më shpesh e pëshpëritjeve sesa e bisedave të hapëta të qytetarëve.

Dua të them disa fjalë për këtë milionerin tonë politik sjelljeharlisur, të pasuruar në mënyrë tragjikomike, në sajë të posteve politike e shtetërore!