Qumështorja ‘Vita’ i reagon VV-së: Mos e përdorni emrin tonë në beteja me kundërshtarët politikë
“Qumështorja Vita” ka reaguar pas kallëzimit penal që sot Vetëvendosje ka bërë kundër Komunës së Prishtinës, lidhur me shujtat e nxënësve.
Në një komunikatë për media, kjo qumështore ka njoftuar se do të ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të kësaj partie, transmeton Indeksonline.
Sipas Vitas, tenderi, të cilit i referohen zyrtarët e kësaj partie, ai i furnizimit me qumësht, nuk sjellë përfitime financiare për kompaninë e tyre.
Më poshtë reagimi i “Qumështores Vita”:
“Qumështorja Vita”, njofton opinionin publik se do të ndërmarrë masat e duhura ligjore kundër shpifjeve të bera nga disa zyrtarë të Lëvizjës Vetëvendosje.
Jemi njoftuar nga mediat që emri i kompanisë sonë përmendet në një kallëzim penal me motive politike, të dorëzuar sot në Prokurorinë Themelore të Prishhtinës.
Kjo është bërë nga një zyrtar i kësaj partie i cili, sipas raportimeve të mediave, ka qenë i suspenduar nga pikërisht “Vetëvendosja” për abuzime në detyrë dhe keqpërdorime financiare.
Ne kërkojmë publikisht nga udhëheqësit e këtij subjekti politik që të mos keqpërdorim emrin tonë në betejat me kundërshtarë e tyre politik.
Tenderi, të cilit i referohen zyrtarët e kësaj partie, ai i furnizimit me qumësht, nuk sjellë përfitime financiare për kompaninë tonë.
Ne kemi konkurruar me çmim jashtëzakonisht të lirë, në këtë aktivitet tenderues. Në këtë rast, Komuna e Prishtinës është ndihmuar nga kompania “Qumështorja Vita”.
Jemi të gatshem ta ndihmojmë secilin autoritetet komunal, pa marrë parasysh se cilit subjekt politik e udhëheqë, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje. /Indeksonline/