75 Mall Live Search
09:36 / E Hënë, 29 Mars 2021 / k.v

Quni e quan ministrin Mehaj personalitet me vlera të larta

Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, në emisionin #gjesi në T7 ka folur për pranim-dorëzimin e detyrës te ministri i ri, Armend Mehaj, pak ditë pasi që video e këtij momenti është bërë virale në rrjete sociale.

Quni ka thënë se nuk ka besuar, që ky moment do të bënte jehonë të madhe, pasi që shtoi se krejt ngjarja ishte spontane.

“Me tregu të vërtetën nuk e kam mëndu se do të merrte aq jehonë të madhe, ishte spontane dhe e natyrshme. E kam pranu nga ish-komandanti im dhe ishte ndenjë e veçantë. Kur janë momente të tilla normalisht krijohet një emicion i veçantë, më së paku çka luan rol aty janë partitë politike”, ka thënë Quni.

“Ata që kanë kaluar nëpër një karrierë ushtarake, kanë përjetime nga një botë tjetër, të qenit ushtarë do të thotë me hjek dorë nga shumë të mira që i gëzon pjesa civile. Kur e kalon një kohë në një ambient ku je i mirëpritur e ki një ekip të mirë, natyrisht se brengosesh kush do të jetë pasardhësi, lutesh që po ai të jetë në nivelin e detyrës. Për një periudhë janë bërë shumë ndryshime dhe nuk dëshiron që ato procese të kthehen mbrapa”, tha ai.

Ish-ministri, tashti deputeti i LDK-së ka thënë se ministri i ri është një personalitet me vlera të larta, dhe shton se atë e kishte njohur edhe personalisht.

“Kur e kupton që të gjitha këto përgjegjësi ia dorëzon një ushtaraku, që e ke njohur nga afër, është e natyrshme që krijohet një moment pozitiv, pa marrë parasysh divergjencave politike që kemi. Për mu ka qenë fat i mirë që kam pranuar nga komandati Rrustem Berisha dhe ta kaloj detyrën po ashtu te një personalitet me vlera të larta”, ka thënë ai.