75 Mall Live Search
14:50 / E Premte, 22 Gusht 2025 / S Z

Quni i përgjigjet Donika Gërvalles: Me të besu ty, është sikur t’i besoja një ushtari të dezertuar

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i është përgjigjur deputetes Donika Gërvalla, e cila e akuzoi atë dhe disa bashkëpartiakë të tij se u bënë bashkë me Listën Srpska dhe s’ia dhanë votën asaj për kryeparlamentare.

Quni tha se e ka “standard thelbësor” besnikërinë në politikë dhe tha se nuk mund t’ia besojë një post të rëndësishëm “një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë”.

“Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë”, ka shkruar Quni në Facebook.

“Pse është e rëndësishme besnikëria në politikë? Për mua, besimi është themeli i çdo marrëdhënieje. Kjo vlen edhe për politikën. E dëgjova ankesën e deputetes Donika Gërvalla-Schëarz që nuk e votova për kryetare të Kuvendit. Kjo më bëri të reflektoj mbi një standard që unë e kam thelbësor: besnikërinë. Kam një parim të palëkundur, si në jetë, ashtu edhe në punë: nuk mund t’ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë. Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë. Unë besoj vetëm tek ata që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen. Është kjo besnikëri që ndërton besim dhe bën të mundur punën e vërtetë, atë që është në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Quni.