75 Mall Live Search
11:36 / E Premte, 03 Tetor 2025 / H F

Quni: LDK-ja është forca që mund të lidhë palët, jemi për stabilitet, jo për përçarje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, në një intervistë për IndeksOnline, ka folur për krizën politike që po kalon vendi, duke e cilësuar situatën në Kuvend si “thellësisht jofunksionale” dhe duke theksuar rolin kyç që deputetët duhet të luajnë në zhbllokimin e proceseve shtetërore.

Sipas Qunit, situata aktuale në legjislativ është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, ku deputetët duhet të luajnë rol parësor në rikthimin e funksionalitetit institucional.

“Roli i deputetit në një kuvend thellësisht jofunksional është në fakt më kritik dhe më sfidues se kurrë. Deputetët duhet të jenë zëri i arsyes dhe të garantojnë që, pavarësisht bllokadës, institucioni kryesor legjislativ të mos rrëzohet plotësisht dhe të shmangin vakumin total të pushtetit.
Detyra kryesore e deputetit  është të gjejnë pika bashkuese dhe të punojnë aktivisht për të zhbllokuar proceset, duke vënë interesin shtetëror mbi atë partiak.Në vend që të jenë pjesë e problemit, ata duhet të jenë motori i zgjidhjes”, ka vlerësuar Quni.

Quni ka analizuar thellësisht faktorët që kanë çuar Kosovën në një situatë bllokimi politik.

Ai vlerëson se vendi po përballet me mungesë të konsensusit dhe dominimit të interesave afatshkurtra politike.

“Klasa politike është e ndarë në blloqe të ashpra, ku mungon vullneti themelor për t’u ulur dhe për të gjetur kompromis mbi çështjet kyçe. Debati shpesh kthehet në sulme personale dhe inate politike, duke lënë pas dore thelbin e punës. Vëmendja është zhvendosur nga qeverisja dhe mirëqenia e qytetarëve te lufta për pozita dhe ruajtja e pushtetit. Interesat afatshkurtra elektorale dominojnë vendimet afatgjata shtetërore. Ndryshimet e shpeshta të qeverive, zgjedhjet e parakohshme dhe mosarritja e shumicave të qëndrueshme kanë krijuar një cikël të pafund paqëndrueshmërie institucionale”, thekson tutje ai gjatë bisedes.

Duke folur për rolin e LDK-së në këtë klimë të tensionuar, Quni vlerësoi kontributin historik të partisë dhe pozicionin e saj si forcë konstruktive në drejtim të stabilizimit institucional.

“Si një prej subjekteve kryesore dhe me përvojë në skenën politike, LDK-ja mban një rol konstruktiv. Duke qenë se është një parti me traditë shtet-ndërtuese, LDK-ja ka potencialin të shërbejë si një urë lidhëse apo si një forcë balancuese. Ajo mund të ndërtojë koalicione të gjera për çështje jetike (p.sh., votimi i ligjeve të rëndësishme apo marrëveshjeve ndërkombëtare), duke detyruar palët të ulen dhe të bashkëpunojnë. Roli i saj eshte konstruktiv dhe i orientuar drejt stabilitetit”, ka deklaruar Quni për IndeksOnlinen.

Në vijim të intervistës, Quni ka paralajmëruar për efektet afatgjata që ngërçi politik ka në shoqëri dhe ekonomi, duke vënë në dukje se ky nuk është thjesht një problem institucional, por krizë me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët.


“Një ngërç i zgjatur politik nuk është thjesht një problem i klasës politike; ai shkakton pasoja të rënda dhe të pakthyeshme në të gjitha fushat. Instabiliteti politik largon investitorët e huaj dhe frenon zhvillimin ekonomik. Bllokimi i Kuvendit nënkupton mosmiratimin e ligjeve të rëndësishme, buxhetit apo marrëveshjeve ndërkombëtare, duke dëmtuar direkt financat e vendit. Bllokada tregon mungesë pjekurie dhe gatishmërie për reforma. Kjo përkthehet në stagnim në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe vonesa në përmbushjen e kritereve të nevojshme. Mungesa e adresimit të problemeve sociale (shëndetësia, arsimi, punësimi) shkakton zhgënjim masiv te qytetarët dhe nxit emigracionin. Më e rëndësishmja, ajo shkatërron besimin e publikut te institucionet demokratike”.

Në përfundim të intervistës deputeti Anton Quni ka bërë një thirrje të qartë për rikthim te përgjegjësia institucionale, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme për të dalë nga kriza. /IndeksOnline/