Quni: LDK ka shprehur gadishmëri për qeveri gjithëpërfshirëse
Deputeti Anton Quni deklaroi në RTK-Prime se qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është bërë tashmë publik. Ai shpjegoi arsyet pse nuk ka pajtim për partneritet me Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe faktorët që e bëjnë të pamundur krijimin e një qeverie nga partitë opozitare.
“Duke u bazuar në këto fakte dhe në rrethana të tjera të njohura, ne kemi parashikuar situatën që na pret. Qysh para disa muajsh kemi dalë me një propozim-zgjidhje, të cilin e kemi ofruar me bindjen se do të merret në konsideratë nga të gjithë liderët e partive politike, si rruga më e mirë për të krijuar qeverinë dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në qeverisjen e ardhshme,” ka thënë Quni.
Ai shtoi se në LDK kanë shprehur gatishmërinë që të gjitha partitë parlamentare të jenë pjesë e një qeverie uniteti, gjithëpërfshirëse, teknike dhe të përkohshme, me kohëzgjatje të caktuar dhe një agjendë të përbashkët.
Sipas tij, kjo agjendë duhet të ndahet sipas prioriteteve, duke pasur parasysh se shumë shpejt do të jetë zgjedhja e presidentit dhe se të gjitha këto çështje duhet të trajtohen në një paketë të vetme.
Sa i përket deklarimit të kryeministrit në detyrë se LDK nuk do të hyjë në qeveri nëse aty nuk është edhe PDK-ja, Anton Quni rikujtoi se LDK ka qenë më parë në qeverisje të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje edhe pa PDK-në. Sipas tij, nuk qëndron pretendimi se LDK nuk ka një rrugëtim të pavarur nga partitë e tjera.
Quni shtoi se nuk ka gatishmëri të sinqertë nga Vetëvendosje për partneritet me LDK-në, duke theksuar se LDK tashmë ka përvojë nga qeverisja e përbashkët me këtë subjekt, e cila ishte quajtur “qeveria e shpresës”. Ai tha se pritjet atëherë ishin shumë të mëdha, por se me kohë është kuptuar që ai skenar ishte i përgatitur për ta dëmtuar LDK-në.
Ai shtoi se, nëse kanë gabuar një herë, kjo nuk do të thotë se do të bien dy herë në të njëjtën grackë. Sipas Qunit, kjo përvojë, bashkë me problemet e tjera që janë akumuluar ndërkohë, është një nga faktorët që LDK i merr sot në konsideratë./Indeksonline/

