“Qysh je sot?” – Lansohet platforma për promovimin e shëndetit mendor
“Qysh je sot?”, është pyetja që hasni në platformën më të re të lansuar, shendetimendor.org, e cila i dedikohet promovimit të shëndetit mendor dhe ofron materiale psikoedukuese mbi depresionin dhe ankthin, raporton Ekonomia Online.
Arbër Fetahu nga KCSF, të cilët e kanë përkrahur këtë iniciativë, theksoi rëndësinë e saj.
“Ne prej KCSF-së jemi të lumtur që kemi pasur mundësi me përkrahë një projekt të tillë, ku nuk është një projekt ‘tick-the-box’ vetëm për hir të të bërit projekt, por është një projekt që ka ndikim, që është në shërbim të qytetarëve, të njerëzve, ku i përfshin edhe studentët me punën e tyre. I ngre kapacitetet edhe profesionale, edhe akademike të studentëve, por ajo më e mira dhe më e madhja është që ka përfshirjen e qytetarëve dhe ka ndihmë për grupe që kanë nevojë, grupe të cenueshme, sepse shëndeti mendor është bërë një temë, me të drejtë, e diskutueshme në shumë forume, në shumë vende, madje edhe nëpër familje, por prapë në një prizëm ende mbetet një nevojë që shpesh për disa persona dhe grupe është edhe luks, për shkak të pamundësisë së trajtimit të duhur, qoftë në institucione publike apo ato private. Tashmë veçse dihet edhe si shkon procedura e trajtimit të tyre. Pra, veçse në KCSF jemi të gëzuar që kemi pasur mundësi me kontribu me fond për këtë projekt, por puna dhe merita më e lartë është e Qendrës Globale, Institutit të Psikologjisë, dhe ky rilansim shpresoj që do të kontribuojë që shoqëria të vetëdijësohet, qytetarët ta përdorin sa më shumë, dhe siç tha edhe profesori, që ky ekosistem të funksionojë dhe të prodhojë dinamika të reja dhe pozitive për të gjithë qytetarët”, tha ai.
Shkurte Bajgora, psikologe tregoi se në platformë shëbehen të dhënat për ankthin, depresionind he shërbime të tjera që janë në kuadër të shëndetit mendor.
“Tashmë, siç u përmend, Qendra për Shëndet Global bashkë me Institutin e Psikologjisë, tash gjashtë vite po bëhen që jemi duke punuar në këtë pjesë të ndihmës apo mbështetjes psikologjike, dhe përmes shumë projekteve të ndryshme, tash edhe me këtë të fundit, po provojmë me mbajtur gjallë iniciativa të tilla që i ndihmojnë qytetarët duke u ofruar ndihmën e parë psikologjike.
Kështu që shfrytëzoj rastin me i falënderu shumë vullnetarët që e kanë shprehur dëshirën dhe motivin që çdo herë janë këtu për ne dhe për qytetarët, të cilët po shprehin shqetësime të ndryshme. Dhe po shpresoj shumë që gjithçka do të shkojë mirë dhe mbarë, pasi tashmë na pritet mbarë edhe nga të tjerët”, tha ajo.

