75 Mall Live Search
12:03 / E Martë, 04 Prill 2023 / S Z

Qytetarët do të përzgjedhin mjekun familjar brenda zonës së banimit

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar kohë më parë Planin e Veprimit, për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor. Qëllimi i këtij plani është që secili qytetar të ketë mundësinë që të përzgjedh mjekun familjar brenda zonës së banimit dhe sigurimit të qasjes në shërbime shëndetësore, në kohën e duhur dhe sipas kërkesës.

Në një komunikatë për media të MSH-së bëhet e ditur se përmes përzgjedhjes së mjekut familjar, do të krijohet lista e banorëve/pacientëve dhe kjo do të kontribuojë në rritjen e mbulueshmërisë së popullatës me shërbime shëndetësore. Rrjedhimisht, kjo do të ndikojë edhe në promovimin, edukimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet që ofrohen në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

Plani e thekson rëndësinë e përzgjedhjes së mjekut familjar,  për ruajtjen dhe përcjelljen e shëndetit të qytetarëve në vazhdimësi dhe përfitimet e qytetarëve nga ky proces.

Fillimisht, procesi do të pilotohet në katër komuna: Lipjan, Istog, Prizren dhe Prishtinë (QMF-5- Ulpianë dhe QMF-6- Bregu i Dellit), për të vazhduar pastaj shtrirjen në tërë vendin.

“Ministria do të ju mbajë të informuar për hapat e mëtejmë në procesin e përzgjedhjes së mjekut familjar brenda zonës suaj të banimit dhe ecurinë e mëtejme”, thuhet në njoftim/IndeksOnline/.