75 Mall Live Search
15:33 / E Martë, 12 Gusht 2025 / Pranvera Musa

Qytetarët e Kosovës afro 7 miliardë euro i mbajnë në banka

Qytetarët e Kosovës po dëshmojnë një rritje të qëndrueshme të kursimeve në banka. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në dhjetor të vitit 2024 vlera e përgjithshme e depozitave në banka ka arritur në 6.92 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 13.0%, krahasuar me 10.4% sa ishte një vit më parë, shkruan Indeksonline.

“Rritja e theksuar e depozitave, veçanërisht gjatë pjesës së dytë të vitit, ka ndikuar në kthimin e trendit pozitiv të rritjes, për dallim nga viti paraprak ku shënuan ngadalësim të rritjes,” thuhet në raportin zyrtar të BQK-së.

Depozitat e ekonomive familjare vazhdojnë të dominojnë strukturën e përgjithshme, duke përbërë 65.1% të totalit të depozitave në fund të vitit 2024.

Ndërsa për periudhën e njëjtë , gjithsej stoku i kredive arriti në 5.81 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 18.3 përqind, të përshpejtuar për 5.3 pikë përqindje krahasuar me vitin paraprak.

Trendi i përshpejtuar i rritjes është nxitur nga zgjerimi i ndjeshëm i kreditimit si për ekonomitë familjare ashtu edhe për korporatat jofinanciare.

Rezultatet e Anketës së Kreditimit Bankar (AKBK), tregojnë se dinamikat e kreditimit gjatë vitit 2024 u ndikuan kryesisht nga kërkesa e rritur kreditore, shoqëruar edhe me lehtësim deri në një masë të kushteve të kreditimit./Indeksonline/