Qytetarët e paguajnë dyfish më shtrenjtë ujin që konsumojnë
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike e ka dërguar në Kuvend raportin e Auditimit për KRU “Prishtina” për vitin 2017, për shkak të parregullsive që janë gjetur aty.
Gjatë kësaj mbledhje deputetët kanë shprehur shqetësime për rritjen e humbjeve të ujit në rrjetin e KRU Prishtinës, dhe mënyrën se si po u faturohen këto humbje qytetarëve.
Lidhur me këtë kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” , Ilir Abdullahu tha se janë rritur humbjet e ujit për shkak të furnizimit me ujë 24 orë për të gjithë konsumatorët.
Me qëllim të evitimit të humbjeve të ujit ai tha se kanë hartuar edhe një strategji.
“Kjo jep si rezultat i mbulueshmërisë së furnizimit me ujë 24 orë dhe rrjetat janë në presion, domethënë në momentin kur ne kemi pasur reduktime 10-11 deri në 05:00 të mëngjesit ato rrjedhjet janë ndalur kanë rënë, mirëpo momentin e rrjedhjes kur ekzistojnë edhe kur ka një furnizim 24 orë kur dihet që zakonisht në pjesën e mesnatës kur konsumi bie, konsumi rritet edhe ajo rrjedhje është në presione të mëdha në ndryshim të kohës”, u shpreh ai.
Abdullahu tutje ka sqaruar se humbet e ujit po ndodhin edhe për shkak të keqpërdorimeve të ujit të pijes nga konsumatorët, bajpaset e shumta, dhe humbjeve komerciale.
Anëtari i komisionit nga LDK, Avdullah Hoti ka pyetur si mund të ndodh që në një pjesë të madhe të Prishtinës janë zëvendësuar gypat, ndërsa janë rritur humbjet e ujit në rrjet nga 53 në 57 për qind.
Sipas tij qytetarët e Kosovës po paguajnë dyfishin e ujit që nuk e përdorin.
“Pse janë rritur humbjet nga 53 në 57 në ndërkohë që në pjesën më të madhe të Prishtinë janë zëvendësuar gypat, rrjeti i ujësjellësit është zëvendësuar së paku në pjesën urbane për vite të tëra është punuar në atë drejtim, tash nuk ka reduktime gjatë natës dhe në momentin që nuk ka reduktime nuk ka as humbje as furnizim pra proporcionalisht ajo që po thoni nuk ka logjik…30;’20 Atëherë kjo i bie që qytetarët me 43 për qind të ujit që faturohet prej mbi 90 për qind inkasohet i bie që qytetarët janë duke paguar dyfish më shtrenjtë ujit që konsumojnë“, u shpreh Hoti.
Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selmanaj ka kërkuar sqarim për mungesën 33 mijë litra naftë në rezervar.
Abdullahu për këtë çështje u shpreh se nga analizat e bëra nga MTI-i ka dal që pompa e këtij rezervari nuk është adekuate. Sipas tij, referenti dhe personat që kanë pranuar naftën janë pjesë e dosjes së hetimeve.
“Derivatet e naftës fizikisht janë kontrolluar në fund të dhjetor dhe pjesa e hyrje-daljeve dhe pjesa fizike do të ishte në rezervar është mungesë, ne kemi formuar një komision edhe krahas kësaj kemi kërkuar edhe ndihmë nga MTI-ja që të vije dhe të verifikoj rreth situatës dhe gjendjes të pompës dhe infrastrukturës përcjellëse dhe gjatë analizave të tyre pompa nuk i plotëson standardet që ne i kemi përdorur me vite për arsye se ka pasur probleme në regjistrimin, në saktësi dhe në atë metrazhin e kubikëve të hargjuar, mirëpo në momentin që kemi marr informatën kemi marr veprime deri në suspendim të personit zyrtar që ka punuar si referent me naftë, pastaj iu kemi drejtuar edhe drejtësisë, ku tash është duke u marr, duke bërë hulumtimin”, ka thënë kryeshefi i KRU “Prishtina”.
Selmanaj po ashtu ka kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e ujësjellësit “Prishtina” edhe për nëntë menaxherët që kanë punuar pa kontratë pune, ku në përgjigjen e tij kryeshefi i KRU-së “Prishtina”, Ilir Abdullahu u shpreh se për shkak të performancës së tyre ai me një vendim iu ka vazhduar kontratën e punës, por që vendimi i tij nuk ka shkuar në administratë. Ai tutje shtoi se javën e ardhshme do të rishpallin vende të lira për menaxher në këtë kompani.
Deputetët gjatë mbledhjes kanë shfaqur shqetësime edhe për mungesën e furnizimit me ujë për konsumatorët e Fushë-Kosovës, kurse kryeshefi i KRU “Prishtina” i ka siguruar ata se brenda këtij viti qytetarët e këtij qytetet do të kenë furnizim me ujë 24 orë. Ai bëri të ditur se kanë përfunduar 2.2 kilometra tubacion për zgjidhjen e këtij problemi.
Ali Lajçi nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh se raporti ka identifikuar mospërputhje dhe shmangie të procedurave në menaxhimin e personelit dhe qasjen e kuadrove. Ai po ashtu ka thënë se KRU “Prishtina” ashtu si shumë ndërmarrje tjera janë të ndikuara nga partitë politike.
Ndryshe, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike të martën do të ftoj për raportim përfaqësues të Ujësjellësit Rajonal të Prizrenit.