Qytetarët e quajnë të pamjaftueshme rritjen e pagave nga janari, kërkojnë të punohet edhe për sektorin privat

Qytetarët po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të merret me sektorin privat, duke krijuar lehtësi për bizneset në mënyrë që të ketë rritje të pagave.
Kjo pasi sipas tyre, sektori privat është në gjendje jo të mirë dhe me paga shumë të vogla. Disa qytetarë që u prononcuan për EO-në, duke komentuar paralajmërimin e qeverisë për rritje pagash nga viti i ardhshëm për sektorin publik, thanë se rritja e paralajmëruar është e pamjaftueshme.
Çaush Bajrushi, tha se paralajmërimi i qeverisë është i mirëpritur por që pagat duhet të rriten edhe në sektorin privat.
“Hera e parë që është rritja e rrogave me koeficient për të ardhurat. Ajo është një e mirë shumë po nuk mjafton vetëm në këtë sektorin, duhet edhe në sektorin privat ata janë duke i dëmtuar shumë punëtorët me rroga minimale. Kemi raste kur i paguajnë vetëm 200 euro në muaj, që janë të pa mjaftueshëm për një familje”.
“Qeveria nuk ka të bëjë shumë me privatin por që duhet që t’u imponojë rritjen. Pensionistët janë në pozitë të keqe, përpiqem që të jem korrekt pensionet na i ka marrë Serbia, unë është dashur që t’i kisha minimun 1000 euro pensionin të punës sime, sepse i kam pasur të ardhurat personale të larta, mirëpo i vetëdijshëm që ato i ka marrë Serbia a i kthen ndonjë herë a jo nuk e di. Kurti me pas mundësi ua bënë të gjithëve 1000 euro, por janë mundësit e kufizuara”, ka thënë ai.
Sylejman Mushiqi, qytetar nga Prishtina, ka thënë se duke marrë parasysh inflacionin dhe rritjen e madhe të çmimeve të produkteve bazë, rritja e pagave duhet që të behët në të gjithë sektorët.
“Të gjithë sektorët duhet me qenë rritja, rritja e inflacionit që është bërë, shtrenjtimi që është bërë duhet me qenë rritja e pagave për të gjitha sektorët. Çfarë të bëjnë pensionistët me 120 euro, 20 euro i ka rritur çka të bëjë me to. 100 euro kushton vetëm një analizë te mjeku, e ilaçet si me i marrë. Shtrenjtimi është bërë si tek ushqimi si te të gjitha. Inshalla vjen një më i mirë se ky nuk ka bërë asgjë, as në shëndetësi, as në arsim asgjë hiç”, ka thënë ai.
Bajram Kastrati, tha se qeveria aktuale gjithë energjinë e saj është duke e shpenzuar në Mitrovicën e Veriut, e sipas tij, gjërat kryesore janë lënë pas dore.
“Ma mirë është ata ta pyesin se krejt energjia është duke e shpenzuar në Mitrovicë, duke e mbajtur si protekst e që t’i harrojmë këto dallaveret e tyre që jemi duke i bërë. Kjo marre është çka është duke i bërë popullit kështu”, ka thënë ai.