16:12 / E Mërkurë, 28 Gusht 2019 / indeksADMonline

Qytetarët nga të zgjedhurit presin më shumë punësim për rininë

Më 6 tetor qytetarët e Kosovës do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivelin qendror.

Qytetarët presin nga të zgjedhurit e tyre të punojnë për të mirën e vendit dhe të ketë më shumë vende të reja pune për të rinjtë.

Qytetari Afrim Islami shprehet për KP se në këto zgjedhje pret të fitojë dikush që nuk ka qeverisur më herët, pasi sipas tij duhet të ndryshohet diçka dhe jo të jetë gjithmonë njëjtë.

Ai thotë se të gjithë qytetarët duhet të dalin për të votuar, në mënyrë që të mos lejojnë që vota e tyre të keqpërdoret.

 “Nuk e di çfarë të them, diçka më të re, të ndryshohet diçka se jo gjithmonë njëjtë”, u shpreh ai.

Nga qeveria që do të del nga këto zgjedhje, Alban Parduzi nga Vushtrria pret të krijohen më shumë vende pune.

Po ashtu, ai thotë se dëshiron që shteti i Kosovës të funksionojë më mirë dhe të mos vendosin ndërkombëtarët.

 “Unë pres të ketë një punësim më i madh i të rinjve, rinia të punësohet. Shteti të funksionojë më gjallë dhe mos t’ua lë në dorë ndërkombëtarëve, por të bëhemi zot të shtëpisë sonë”, tha ai.

Vende të punës për të rinjtë e Kosovës pret edhe qytetari Selatin Raifi, i cili shprehet se vetëm kur rinia të punësohet, vendi mund të ecën përpara.

 “Unë po pres një ditë të mirë që të punësohet rinia. Ai është problemi im më i fortë se jam 67-vjeç. Vetëm punësim qysh i ka hije, kurrgjë tjetër”, thotë ai.

Por, ka edhe prej atyre që shprehen skeptikë se diçka do të ndryshojë në këto zgjedhje. Qytetarja Hyrmete Veseli thotë se që 20 vjet janë lodhur me premtime që sipas saj asnjëherë nuk janë realizuar.

 “Me thënë të drejtën, që 20 vjet punësim na kanë premtuar, asgjë nuk është realizuar. Nuk e di. Nëse vjen dikush i ri, ndoshta ka ndonjë perspektivë në punësim, ama problem është. Nuk ka hapje të fabrikave, nuk ka kurrgjë…Dalim si qytetarë, pse me e lanë të manipulojnë me votën tonë, por nuk presim asgjë”, tha Veseli.

Kuvendi i Kosovës u shpërnda më 22 gusht, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, më 19 korrik, për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.

Sidoqoftë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri dhe asnjë legjislaturë nuk ka përfunduar mandatin e rregullt kushtetues.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë u mbajtën më 11 qershor 2017, ku dalja e qytetarëve ishte 43 për qind, nga mbi 1.8 milion votues të regjistruar.