Qytetarët nuk respektuan vendimet e institucioneve shtetërore, Policia jep detaje për rrahjen në Ferizaj

Në Ferizaj gjatë mbrëmjes së sotme, dy zyrtarë policorë janë përballur me sulm fizik ndërsa ishin të angazhuar në planin operativ në kuadër të masave kundër Covid-19.
Rastin për Indeksonline e ka konfirmuar Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.
“Rreth orës 21:10 minuta njësitet policore të angazhuara në bazë të planit operativ gadishmëria dhe reagimi ndaj Covid-19 kanë hasur në dy qytetarë që nuk kanë respektuar vendimet e institucioneve shtetërore”.
“Në momentin kur policia ka kërkuar letërnjoftimet nga ta, ata nuk kanë zbatuar urdhrat e policisë dhe kanë sulmuar dy pjesëtarë të policisë”.
Ai konfirmoi se si pasojë, zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor.
“Policët kanë marrë lëndime gjatë tentimit për të vu situatën në kontroll. Ata kanë shkuar për tretman mjekësor për çka edhe posedojnë raporte mjekësore”.
Gashi ka bërë të ditur se dy qytetarët janë arrestuar dhe janë duke u intervistuar.
Të njëjtit janë të moshës 25 vjeçarë dhe ngjarja ndodhi në një nga hapësirat më të frekuentuara të qytetit të Ferizajt./Indeksonline/