16:35 / E Hënë, 03 Gusht 2020

Qytetari nga Drenasi gënjeu se e ka vëllain të prekur me COVID, komuna ushtron padi

Komuna e Drenasit, përkatësisht Kryesuesi i Shtabit Emergjent dhe Qendrës Operative, pas deklarimeve në rrjetin social Fecebook nga një qytetar i pandërgjegjshëm, se kinse në Komunën e Drenasit nuk po ofrohen shërbime shëndetësore dhe Komuna nuk po kujdeset për qytetarët e saj për trajtimin e virusit covid-19, ka ushtruar padi për shpifje pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ndaj z. Kastriot Ferizi.

I njëjti, duke përhapur informacione të pa vërteta e tendencioze, se kinse i vëllai ka rezultuar pozitiv me covid-19 dhe aludimi i tij se nuk i është ofruar ndihma shëndetësore, ka shkaktuar panik dhe shqetësim tek qytetarët.

Stafi shëndetësor i Komunës së Drenasit po punon në mënyrë intensive në terren duke ofruar shërbime adekuate sipas protokolleve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për rastet e rezultuara pozitive. Ekipet shëndetësore dhe epidemiologu vazhdimisht kanë kontaktuar dhe vizituar familjet që kanë rezultuar pozitiv me virus.

Deklarata e të paditurit në rrjete sociale, se një familjar i tij, kinse i prekuri me covid-19, nuk është vizituar e as kontaktuar nga personeli shëndetësor, nuk është e vërtetë. Personi në fjalë nuk figuron në listat që Komuna e Drenasit ka pranuar zyrtarisht nga IKShPK-ja.

Për të gjitha rastet për të cilat njoftohemi nga IKShP-ja, vizitohen dhe kontaktohen nga ekipet mjekësore si dhe nga Ekipet e Policisë në Drenas. Sa i përket ndihmës nga ana e komunës, ju kemi ndihmuar të gjitha rasteve që janë paraqitur përmes administratoreve, prandaj rasti tillë nuk ka adresuar nevojë për ndihmë.

Komuna e Drenasit, me tërë kapacitet dhe mundësitë që ka, do të jetë gjithmonë në mbështetje dhe pranë nevojave të qytetarëve të cilët kërkojnë shërbime shëndetësore apo nevojave tjera për të tejkaluar situatën e krijuar nga pandemia globale covid-19.

Dezinformatat në kohën e pandemisë nuk i kontribuojnë kësaj situate në të cilën jemi, përkundrazi, ndikojnë në përhapjen e panikut dhe përkeqësim të gjendjes.

Ju lutemi shumë, mos përhapni informacione të pavërteta për interesa të caktuara, por, si qytetarë të këtij vendi, kontribuoni në përmirësimin e gjendjes, duke respektuar udhëzimet dhe rekomandimet e institucioneve të vendit.

Mos i humb