Qytetari që mban emrin dhe mbiemrin e policit që dyshohet për dhunim: Ndihem i turpëruar
Vesel Veseli, qytetari i cili mban emrin dhe mbiemrin e njëjtë me policin, që po dyshohet se abuzoi seksualisht me 16 vjeçaren nga Drenasi ka thënë se ndihet i turpëruar që mban emrin e njëjtë me të.
Veseli në profilin e tij në Facebook ka shpërndarë thirrjen për protestën që u organizua të mbahet të premten në Drenas, me përshkrimin: “Nga ato momentet kur ndihna i turpnum që mbaj emër e mbiemër të njejtë me ni njeri t’tillë! Përdhunuesit në burg!”, thuhet në postimin e tij në Facebook.
Nesër, duke filluar nga ora 12:00, do të mbahet protestë para stacionit policor, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë. Kurse, për ditën e premte është paralajmëruar protestë edhe në Komunën e Drenasit.
Vesel Veseli, i cili mbante postin e zv.shefit të hetimeve në Stacionin Policor në Drenas, dyshohet se e ka shfrytëzuar seksualisht një 16 vjecare nga kjo komunë.
Po ashtu, dyshohet se me të njëjtën viktimë, abuzim seksual ka bërë edhe arsimtari i saj.
Rasti ishte hulumtuar nga Insajderi, dhe pas publikimit të lajmit, ka ngjallur reagime të forta.
Presidenti Hashim Thaci, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe zv.kryeministri Behgjet Pacolli, janë disa nga shumë persona që reagon për këtë ngjarje të trishtë.
Reagime ka pasur edhe nga pothuajse të gjitha partitë politike në vend. Të gjithë e dënuan rastin, duke kërkuar nga sistemi gjyqësor, që ta trajtojë atë dhe kryerësit e kësaj vepre ta marrin dënimin e merituar.
