Qytetaria aktive i shkruan letër kryeministrit ne ardhje Albin Kurtit, kanë disa kërkesa

Qytetarët Aktivë kërkojnë nga Kryeministri në ardhje i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që me themelimin e Qeverisë të realizojë auditim në të gjitha institucionet/organet shtetërore(ministri, agjenci të pavarura dhe struktura të tjera vartëse), me qëllimin e vetëm që të krijohet kultura e llogaridhënies dhe të rritet besimi tek shtetasit e Republikës së Kosovës.
“Arsyeja e kësaj thirrjeje/kërkese ka të bëjë me krijimin e një sistemi efikas dhe llogaridhënës, duke pasur parasysh faktin që deri me tani një praktikë e tillë nuk është aplikuar dhe se besimi në Qeverinë e Republikës së Kosovës (institucionet /organet vartëse) ka munguar nga ana e qytetarëve”, thuhet në një njoftim të kësaj organizate.
Për Qytetarët Aktivë, është e papranueshme që të ketë vazhdimësi të qasjes së njëjtë, e cila deri më tani ka promovuar një qeverisje jotransparente dhe jollogaridhënëse dhe nëse i referohemi raporteve ndërkombëtare Kosova është renditur në një ndër vendet e para për korrupsion dhe mungesë të sundimit të ligjit.
Qeveria e re duhet të zotohet me veprime të menjëhershme dhe të garantojë qytetarët e Kosovës se do te ketë qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, prandaj i bëjmë thirrje qeverisë në ardhje, që të realizojë një auditim në të gjitha institucionet shtetërore në mënyrë që të kthehet besueshmëria në institucionet e vendit.
Qytetarët Aktivë, të kësaj organizate janë krejtësisht në dispozicion për një takim, si dhe të ofrojnë këshilla sa i përket realizimit të auditimit, me përkushtimin maksimal.
Organizata Jo-Qeveritare Qytetarët Aktivë, ka për qëllim që t’i bashkojë qytetarët dhe të bashkëveprojë në lidhje me zhvillimin dhe sistemin qeverisës të vendit. Fokusi i kësaj organizate është që qytetarët, e sidomos të rinjtë, të kenë mundësi t’i shprehin kritikat e tyre ndaj sistemit, si dhe nevojat dhe vizionin e një sistemi qeverisës zhvillimor dhe të barabartë. Qytetarët brenda kësaj organizate do të përfshihen në avokimin, monitorimin, llogaridhënien për sektorët vijues: Qeverisja e mirë, sistemi arsimor, sistem të mirëfilltë shëndetësor, mbrojtje të mjedisit, të drejtat e njeriut dhe kulturë.