75 Mall Live Search
13:29 / E Mërkurë, 05 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Qyteti amerikan, për të parën herë, emëron shef policie një mysliman

Qyteti Paterson në New Jersey të SHBA-së për të parën herë ka emëruar shef të policisë një mysliman turko-amerikan, raporton Anadolu Agency.

Ibrahim “Mike” Baycora u betua me dorën e majtë, në një kopje të Kur’anit, si shef i 17-të i policisë së qytetit Paterson gjatë një ceremonie në bashkinë e qytetit.

Ceremonia filloi me himnin kombëtar dhe lutje në praninë e anëtarëve të komunitetit turk në New York dhe New Jersey, zyrtarëve të lartë të Qeverisë lokale të Patersonit si edhe familjes dhe të afërmve të shefit të ri të policisë.

Baycora vjen në vend të Troy Oswald, i cili u tërhoq në muajin shkurt.

Duke folur në këtë ceremoni, kreu i Bashkisë Paterson, Andre Sayegh, përshëndeti të pranishmit në gjuhën turke.

“Në historinë e SHBA-së, Baycora do të jetë turku i parë si shef policie. Ai do të jetë myslimani i parë si shef policie në qytetin Paterson”, tha Sayegh, duke shtuar se SHBA-ja ka bërë histori.

Baycora, nga ana e tij, tha se është krenar për kombësinë dhe origjinën e tij.

“Si fëmijë nga pjesa lindore e Patersonit, që u rrit dhe ndoqi shkollën këtu, Patersoni ka qenë shtëpia ime për pjesën më të mirë të gjysmë shekullit. Patersoni, ka qenë në gjakun tim tërë jetën dhe tani jam shef i policisë së këtij qyteti pas një karriere 32-vjeçare”, tha Baycora.

Duke folur për AA-në pas ceremonisë, Baycora tha se ndihet i lumtur dhe i bekuar.

“Në këtë vend ka mundësi. Nuk ka rëndësi nga vjen”, u shpreh ai.

60-vjeçari Baycora erdhi në SHBA si foshnjë dhe u rrit në Paterson.