13:51 / E Hënë, 07 Shtator 2020 / indeksADMonline

Cyrihu, me masa të reja kundër koronavirusit

Në Cyrih, ashtu sikurse edhe në gjithë Zvicrën ka rritje të numrit të të infektuarve nga koronavirusi. Për të ndihmuar në parandalimin e infeksioneve të reja, këshilli i qytetit ka vendosur sot për marrjen e masave të mëtejshme.

Kështu, duke filluar nga e enjtja (10 shtator) bëhet e detyrueshme bartja e maskës në të gjitha zonat e qasjes publike të administratës së qytetit që kanë kontakt të rregullt me qytetarët, shkruan srf.ch. Kjo ka të bëjë, ndër të tjera me sportelet dhe sallat e institucioneve të administratës.

Popullsia do të informohet për detyrimin e ri të vënies së maskës, në hyrjet përkatëse. Nga po e njëjta datë, bëhet e detyrueshme vendosja e maskës edhe në muzetë që operohen nga qyteti (Muzeu Rietberg, Helmhaus, Atelier Haller, NONAM).

Në shkollat fillore  publike hyn në fuqi detyrimi për maskë për të rriturit, transmeton albinfo.ch. Gjatë mësimeve, ky detyrim zbatohet vetëm nëse distanca minimale prej 1.5 metrash nuk mund të ruhet për më shumë se 15 minuta, njofton këshilli i qytetit.

Po kështu, detyrimi për maskë, do të vendoset për të gjithë punonjësit në spitale të qytetit, qendrat për të moshuarit dhe qendrat e kujdesit.

Këshilli i qytetit, gjithashtu i kërkon elektoratit të votojë me letër (me postë) për referendumin  e 27 shtatorit. Për arsye sigurie, në dispozicion janë vetëm dy stacione votimi të pavarura nga zonat elektorale.

Kundër këtij vendimi është ngritur  një ankesë, e cila tashmë ndodhet në procedim në Gjykatën Administrative të Cyrihut.