75 Mall Live Search
22:34 / E Diele, 28 Shtator 2025 / F.R

Ra në bunar në Lybeniq, trupi i viktimës nxirret pas 8 orësh përpjekje

Një incident tragjik ka ndodhur sot në fshatin Lybeniq të Pejës, ku një person ka humbur jetën pasi ka rënë në një bunar.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të varrezave të fshatit, ku viktima, Albert Pamaj, kishte hyrë për të punuar në një bunar rreth 18 metra të thellë, kur një pjesë e dheut është shembur, duke e zënë brenda.

IndeksOnline ka mësuar se pas 8 orësh operacion të vështirë shpëtimi, ku janë përfshirë Forca e Sigurisë së Kosovës njësitet e kërkim-shpëtimit, policia dhe zjarrfikësit, është arritur të nxirret trupi i pajetë i viktimës.

Pamaj i përkiste komunitetit rom dhe ishte nga fshati Hereq i komunës së Gjakovës. Ai ishte angazhuar për punime fizike në hapjen e bunarit nga një familje lokale.

Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Rreth orës 14:30, Policia është njoftuar nga një qytetar se në fshatin Lybeniq, gjersa kanë qenë duke u zhvilluar punimet për hapjen e një bunari, ka rënë një person,” ka deklaruar Gashi./IndeksOnline/