75 Mall Live Search
12:13 / E Martë, 23 Mars 2021 / B O

Radha për ekonominë dhe infrastrukturën, SHBA me pakon tjetër prej 3 trilionë $

Këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë janë duke punuar për një paketë mbi çështjet ekonomike dhe infrastrukturën prej 3 trilionë dollarëve që do t’i paraqitet presidentit të SHBA-së, Joe Biden, këtë javë.

Sipas televizionit CNN, propozimi do të përfshijë dy pjesë, njëra përqendrohet në çështjet kryesore ekonomike të vendit në atë që quhet “ekonomia e kujdesit” dhe tjetra në infrastrukturën dhe energjinë e pastër.

Propozimi i parë mund të përfshijë rritjen e taksave mbi korporatat dhe të pasurit, ndërsa u siguron para punëtorëve amerikanë, shkruan IndeksOnline.

“Presidenti Biden dhe ekipi i tij po shqyrtojnë një sërë opsionesh të mundshme për mënyrën e investimit në familjet që punojnë dhe reformimin e kodit tonë të taksave në mënyrë që të shpërblejë punën, jo pasurinë”, tha në një deklaratë sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Ajo do të përqendrohet në financimin e infrastrukturës për të përmirësuar rrugët, urat dhe hekurudhat si dhe 100 miliardë dollarë për infrastrukturën arsimore përveç shpenzimeve për masat e ndryshimeve klimatike dhe kërkimin shkencor.

Sipas raportimeve, Biden ende është duke shqyrtuar planet dhe konsultohet me udhëheqësin demokrat të Senatit, Chuck Schumer dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, përpara adresimit të tij të përbashkët në Kongres në muajin prill.​​​​​​​