75 Mall Live Search
13:55 / E Martë, 16 Qershor 2020 / indeksADMonline

Radiotaksitë protestojnë në Prishtinë, kërkojnë kushte më të mira pune

Dhjetëra makina të Shoqatës së Radiotaksive në kryeqytet janë stacionuar sot para objektit të Komunës së Prishtinës, me kërkesat për krijimin e kushteve për punë.

Përfaqësuesi i Shoqatës…, Gëzim Babiqi, tha se ka vit që problemet e tyre nuk janë zgjidhur nga Komuna e Prishtinës.

Ai tha se ndër problemet kryesore janë taksitë ilegale dhe lëshimi i licencave për punë operatorëve të qyteteve të tjera. Nëse nuk zgjidhen këto, Babiqi theksoi se nuk do t’i ndalin protestat.

“Ka kompani të cilat janë të licencuara në Komunën e Fushë-Kosovës dhe gjithë ditën operojnë në Prishtinë. Kompani në Prishtinë që i posedojnë dhjetë leje të punës dhe tridhjetë leje i ka të Obiliqit dhe Vushtrrisë dhe operojnë njësoj si ne që jemi të licencuar dhe punojmë. Na shkaktojnë probleme, tollovi. Këto janë shqetësimet tona, ne nuk do t’i ndalim protestat derisa t’i realizojmë kërkesat tona”, tha ai.

Ndërsa, zyrtari ligjor i shoqatës, avokati, Agron Krasniqi, kërkoi që kërkesat e tyre të aprovohen nga organet komunale.

“Ka vite ku shoqata ka adresuar probleme e saj përderisa nuk ka gjetur zgjidhje nga Komuna e Prishtinës. Tashti në pandemi të njëjtat probleme janë rritur”, tha ai.

Megjithëqë rreth 15 minuta qëndruan para komunës, përfaqësuesit komunalë nuk dolën për t’u takuar me protestuesit.