Radoniqi: Nesër fillon numërimi i votave

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, sapo ka ushtruar të drejtën e tij të votës, duke bërë thirrje për një proces fer zgjedhor.
Radoniqi ka të drejt vote në qytetin e Pejës, teksa u shpreh i lumtur që KQZ-ja arriti të shpërndajë materialin zgjedhor dhe të finalizojë të gjitha përgatitjet për këtë proces.
“Kjo qendër e votimit në Pejë është hapur dhe unë besoj që edhe të gjitha qendrat tjera në Republikën e Kosovës janë hapur deri tani. Ftoj të gjithë qytetarët të dalin në votim, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, të shprehin vullnetin e tyre të lirë në këto zgjedhje për të cilat KQZ ka punuar 6 muaj. Kemi bërë përgatitje të shumta, kemi ndryshime në proces sipas ligjit që ka hyrë në fuqi në vitin 2023.
Kemi përmirësuar platformën për të cilën në këto zgjedhje presim që sonte të dalim me rezultate preliminare disa orë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Edhe qendra komunale të numërimit të gjitha janë të pajisura me pajisje për numërim dhe presim që nesër të nisim procesin e numërimit për asamblistë” deklaroi Radoniqi.
Ai tha se kanë mbështetje nga Ambasada e Britanisë së Madhe, në ndërtimin e platformës zgjedhore.
Përgjatë javëve të fundit, Radoniqi ka zhvilluar takime të shumta edhe me akterë ndërkombëtarë, të cilët po ashtu kanë bërë thirrje për organizim të drejt të zgjedhjeve dhe mbarëvajtje të këtij procesi.