Rafuna paralajmëron shtrenjtim të produkteve kosovare, në dimër
Çmimet e rrymës për kompanitë prodhuese, pas liberalizimit të tregut të energjisë, janë rritur deri në 300 për qind, duke e bërë prodhimin më të kushtueshëm.
Prodhimet vendëse po bëhen më të shtrenjta sesa produktet e importuara nga rajoni dhe Evropa, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Ai pohon se pas qershorit, disa kompani kanë zhvendosur fokusin nga zgjerimi i prodhimit në mbijetesë, duke kërkuar shpëtim te panelet diellore.
Madje, disa janë mbyllur, e disa kanë zvogëluar kapacitetet prodhuese.
Në muajt e dimrit pritet kulmi i vështirësive, ndërsa paralajmërohet edhe ngritje e çmimeve të produkteve.
Për të lehtësuar gjendjen e bizneseve prodhuese, Rafuna shprehet se qeveria duhet të ndërhyjë me subvencione apo masa fiskale./REL/

