Ragip Xhaka emocionon me mesazhin për Granitin: Ti s’kërkon rrugë të lehta…

Granit Xhaka zyrtarisht është lojtari më i ri i Sunderland-it.
Pas dy vjetësh, ai u rikthye në Ligën angleze, shkruan IndeksOnline.
Për këtë transfer u gëzua edhe baba i Granitit, Ragipi. Përmes një mesazhi emocionues, ai i ka uruar çdo të mirë Granitit, për të cilin thotë se asnjëherë s’e ka zgjedhur rrugën më të lehtë.
Duke përmendur ofertat nga ekipe të mëdha, Ragip Xhaka, mes të tjerash, thotë: “Tani, edhe njëherë, do t’u tregosh të gjithëve se je lider i lindur, i pathyeshëm dhe gjithmonë i denjë për më të mirën”.
Ky është postimi i plotë i tij:
Mesazh nga zemra për djalin tim, Granit Xhaka
Granit, nga zemra, babi të uron shëndet, fat dhe shumë suksese në kapitullin tënd të ri!
E dimë të gjithë: në çdo ekip ku ke luajtur, ke qenë i pazëvendësueshëm, lider, dhe kapiten me zemër.
Shumë oferta kanë ardhur – ekipe të mëdha të kanë kërkuar – por ti, luani im, zgjodhe Premier League, ligën më të fortë në botë. Dhe e dimë pse: sepse ti nuk kërkon rrugë të lehta, por sfida të mëdha, aty ku bëhen legjendat!
Je rritur me punë, me sakrificë dhe me shumë zemër.
Ke bërë krenar jo vetëm familjen, por edhe krejt shqiptarët anembanë botës.
Tani, edhe njëherë, do t’u tregosh të gjithëve se je lider i lindur, i pathyeshëm, dhe gjithmonë i denjë për më të mirën!
Zoti të bekoftë, luani im.
Të dua dhe do jem gjithmonë krenar me ty.