75 Mall Live Search
20:04 / E Enjte, 19 Shtator 2024 / M H

Ragmi Mustafa thotë se është dënuar nga Serbia për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se është dënuar për herë të pestë nga Prokuroria e Serbisë për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar.

Mustafi e ka quajtur këtë veprim një përndjekje të hapur dhe të vazhdueshme ndaj simbolit kombëtar shqiptar, duke e konsideruar si një akt diskriminues dhe përpjekje për frikësim politik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Sot, pas më shumë se dy vitesh nga përfundimi i mandatit si Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, u dënova sërish për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar. Ky është një absurd dhe përndjekje ndaj simbolit tonë kombëtar, që synon të frikësojë dhe censurojë ata që shprehin identitetin e tyre kombëtar”, ka deklaruar Mustafi.

Ai theksoi se ky veprim nuk ka të bëjë vetëm me flamurin, por me të drejtën e shqiptarëve për të shprehur lirshëm identitetin e tyre dhe për të ekzistuar si të tillë. Sipas Mustafit, ndjekjet kundër flamurit shqiptar janë pjesë e një fushate të vazhdueshme për të dobësuar të drejtat dhe dinjitetin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Lufta jonë për të drejtat tona vazhdon, pavarësisht pengesave apo presioneve që na bëhen,” ka shtuar ai, duke shprehur përkushtimin e tij për të vazhduar mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, pavarësisht ndëshkimeve që mund të përballen.