10:17 / E Premte, 26 Prill 2019 / indeksADMonline

Sterling merr çmim për qëndrimin kundër racizmit

Raheem Sterling vlerësohet me çmim nga “BT Sport Industry Awards” për qëndrimin e tij të fortë kundër racizmit në futboll. Sulmuesi i Manchester City-t dhe i përfaqësueses së “Tre Luanëve” iu dorëzua Çmimi i Integritetit dhe Ndikimit nga menaxheri i Anglisë Gareth Southgate në ceremoninë e zhvilluar në Londër mbrëmjen e së enjtes.

24-vjeçari u kërkoi mediave në llogarinë e tij në Instagram që të mbështesnin lojtarët me ngjyrë si dhe u bëri thirrje autoriteteve për të shtypur abuzimin racist, pasi shokët e tij të ekipit në përfaqësuesen angleze, Danny Rose dhe Callum Hudson-Odoi, u ofenduan me etiketimin racist “majmun” gjatë kualifikueses me Malin e Zi për “Euro 2020”, të zhvilluar në Podgoricë, muajin e kaluar.

Nick Keller, president i “Sport Industry Group” deklaroi:

“Zëri i sportistëve vijon të ketë një ndikim të fuqishëm fushën e sportit dhe më gjerë. Sportistë si Raheem Sterling po bëjnë shumë për ta ngritur profilin e çështjeve që na prekin. Me mungesën e një lidershipi të tillë në jetën publike, ne po shohim se si sportistët por bëjnë gjëra konkrete për ndryshimin real, diçka që duhet të vlerësohet.”

Fjalën e mori edhe fituesi i këtij çmimi, Raheem Sterling, i cili ndër të tjera tha:

“Duhet të jemi shembull për fëmijët dhe brezat e ardhshëm.”

Ndërsa trajneri Gareth Southgate theksoi se “sporti nuk është ndryshe nga biznesi. Duhet të mundohemi të krijojmë një kulturë ku gjithsecili të tregojë më të mirën nga vetja.”