21:22 / E Shtunë, 09 Nëntor 2019

Rahoveci e mposht Prishtinën me super spektakël

Rahoveci ka fituar derbin e Superligës ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet me rezultat 87:94 (27:23, 32:20, 8:28, 20:23).

Ndeshja në Pallatin e Rinisë dhe Sportit ka qenë fantastike dhe me shumë kthesa, duke e arsyetuar plotësisht epitetin e derbit të xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë me dy skuadrat që treguan dëshirën e madhe për të shënuar fitore.

Sidoqoftë, kjo pjesë iu takoi vendasve 27:23. Prishtinasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e dytë, që ishin shumë më të mirë, duke e fituar 32:20. Por, në çerekun e tretë, Vreshtarët e filluan frullshëm, duke dominuar në mbrojtje dhe në sulm, për të barazuar shifrat në 63:63, e më pas edhe duke kaluar në epërsi, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 67:71. Çerekun e tretë e fituan mysafirët 8:28.

Kjo bëri që perioda e fundit të ishte shumë interesante dhe dramatike dhe u zhvillua një përballje fantastike. Rezultati 20:23 tregon për lojën e barabartë që u zhvillua në parket, derisa në fund fiton Rahoveci me rezultat 87:94.

Te Sigal Prishtina u dallua Fahro Alihoxhiq me 25 pikë e 12 kërcime, kurse te Rahoveci pikë dyshifrore shënuan: Christian Bradford 21, Jure Gunjina 17, Javis Howard 15, Arian Qallaku 15 dhe Justin Gray 13.

Rahoveci është lider me tetë fitore dhe një humbje, kurse Prishtina ka pesë fitore dhe tre humbje.