75 Mall Live Search
23:31 / E Diele, 03 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Rahoveci mposht Prizrenin, merr kreun e Superligës

Rahoveci është në vend të parë të tabelës së Superligës. Vreshtarët kanë arritur të shënojnë fitore ndaj Prizrenit 90-75 (25-17, 21-24, 20-14 dhe 24-20) duke shfrytëzuar gabimin e Prishtinës dje në Sezai Surroi dhe për të dalë në krye të klasifikimit.

Dallimi kryesor në ndeshje u bë në çerek të tretë të ndeshjes, kur Prizreni ishte afër barazimit të rezultatit. Në anën tjetër Alban Veseli ndezi snajperin e tij dhe me tre treshe në këtë çerek ringriti epërsinë e vreshtarëve për të shkuar të qetë në çerekun e fundit me 9 pikë epërsi.

Më efikasi në fitoren e Rahovecit, që tash drejtohet nga Marjan Ilievski, ka qenë Alban Veseli. Ai shënoi 20 pikë e 7 kërcime në fitore. Ndërsa krejt pesëshja e parë e ekipit dha pikë dyshifrore.

Me double-double ndeshjen e kryen Chris Bradford (19 pikë + 13 asistime) dhe Justin Gray (14 pikë + 14 kërcime).

Te ekipi i Prizrenit mundi i Malcolm Canadas nuk mjaftoi. Canada dha 26 pikë e 7 asitime. Por, ajo që vlen të përmendet te Prizreni është shpërthimi i të riut Mendrit Ademi.

Vushtrriasi i ri ka shënuar 19 pikë, duke qëlluar 5 treshe gjatë gjithë ndeshjes, nga 9 tentime, ndërsa ka kontribuar edhe me 2 asistime e 2 kërcime në ndeshje.

Pas këtij dueli, Rahoveci kap vendin e parë në tabelë me bilanc 6-1, ndërsa Prizreni tash ka bilancin 4-4 dhe xhiron tjetër pushon. E Rahoveci do të jetë mysafir i Pejës në Karagaç.