13:59 / E Premte, 11 Janar 2019 / indeksADMonline

Rahovecit i besohet organizimi i Kupës së Kosovës

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) të premten ka marr vendim që Final 8 i Kupës së Kosovës për vitin 2019 të organizohet në Rahovec nga KB Rahoveci, shkruan faqja zyrtare e FBK-së, basketbolli.com.

Në konkursin e hapur nga FBK prej 28 dhjetor 2018 deri më 9 janar 2019 për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës, ka konkurruar KB Rahoveci, duke i plotësuar të gjitha kushtet në bazë të konkursit dhe Udhëzuesit për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës.

Final 8 i Kupës së Kosovës do të zhvillohet prej 27 shkurt deri më 3 mars.

Më 27 dhe 28 shkurt do të luhen ndeshjet çerekfinale, si dhe gjysmëfinalja në konkurrencën e femrave, kurse më 1 mars ato gjysmëfinale te meshkujt, derisa finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen më 3 mars.

Duhet theksuar se me këtë rast KB Rahoveci do të bëjë përurimin e palestrës së re “Mizair Isma”, në të cilën kanë filluar punimet para dhjetë viteve.

Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar janë Z Mobile Prishtina te meshkujt dhe Prishtina te femrat.