22:15 / E Diele, 26 Gusht 2018 / indeksADMonline

Raiffaisen Bank përfshihet nga një skandal i madh financiar

Që nga muaji shkurt i këtij viti, kompania bankare Raiffeisen Bank në Zvicër është përfshirë nga një skandal i madh financiar në të cilin dyshohet të jetë implikuar direkt ish-drejtori ekzekutiv i bankës Pierin Vincenz.

Bankieri që udhëhoqi Raiffeisen Bank në Zvicër për tri vite me radhë, u bë cak i nisjes së hetimeve nga prokurët zviceranë dhe u vendos në paraburgim për pesëmbëdhjetë javë më heret gjatë këtij viti.

Pierin Vincenz dyshohet për konflikt interesi dhe mashtrim edhe pse drejtonte bankën e tretë më të madhe në Zvicër. Me të nisur hetimet ndaj tij, Vincenz dha dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv të bankës Raiffeisen në Zvicër.

Pierin Vincenz po ndiqet penalisht lidhur me dyshimet për mashtrim

Pas arrestimit të Vincenz, Raiffeisen u përball me procedura edhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Tregut Financiar Zviceran (FINMA). Mbikëqyrësi financiar akuzoi Raiffeisen për dështime të mëdha në menaxhim të bankës.

FINMA tha se bordi i bankës duhet ta ketë kontrolluar më shumë ish-drejtorin e saj ekzekutiv, të përfshirë në skandal.

Ndërkaq, banka Raiffeisen me qendër në qytetin St. Gallen deklaroi se do t’i bashkohej hetimit kundër ish-drejtorit ekzekutiv të saj. Tentoi të qëndronte larg skandalit që kishte përfshirë kreun e bankës.

Mirëpo, skandali i Pierin Vincenz ka lënë pasoja tek Raiffeisen Bank. Pas dorëheqjes së Vincenz, edhe dy udhëheqës të lartë të Raiffeisen Bank dhanë dorëheqje si pasojë e ndikimit të skandalit dhe vështirësisë për të mbrojtur reputacionin e bankës, shkruan Insajderi.

Patrik Gisel ishte zëvëndës i Pierin Vincenz në kohën kur dyshohet se ish-drejtori ekzekutiv i Raiffeisen Bank ka kryer veprat penale

Një javë pas arrestimit të Pierin Vincenz, erdhi dorëheqja e kryetarit të bankës Raiffeisen në Zvicër, Johannes Rueegg-Stuerm. Ai dha dorëheqje si pasojë e skandalit që kishte përfshirë bankën.

Ndërkaq, në majin korrik të këtij viti, dha dorëheqje edhe pasardhësi i Pierin Vincenz në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Raiffeisen Bank, Patrik Gisel, i cili nuk arriti të përballonte presionin e krijuar nga hetimet që po zhvilloheshin ndaj ish-drejtorit ekzekutiv, të dyshuar për mashtrim dhe konflikt interesi.

Gisel ishte zëvendësdrejtor ekzekutiv në kohën kur Vincenz dyshohet t’i ketë kryer veprat penale.

Raiffeisen Bank ka të vendosura zyrat qendrore në Vjenë të Austrisë, por ka një rrjet bankar të shtrirë në disa vende të Evropës Qëndrore dhe Lindore; përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë. Banka Raiffeisen në Kosovë është degë e Raiffeisen Bank International AG (RBI). Ajo erdhi në Kosovë në fund të vitit 2002.