Raketa “Starship” përfundon me sukses misionin testues

Pas një serie dështimesh gjatë vitit të kaluar, SpaceX ka realizuar me sukses fluturimin testues të raketës më të madhe ndonjëherë, “Starship”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt misioneve të ardhshme në Hënë dhe Mars.
Fluturimi u krye nga baza e SpaceX, në Teksas, të martën në orën 18:30 me orën lokale.
Rreth tre minuta pas ngritjes, pjesa e sipërme e raketës u shkëput me sukses nga pjesa bazë, e cila këtë herë nuk u kthye në kullën e nisjes, por u drejtua drejt ujërave të Gjirit të Meksikës për të testuar një strategji alternative uljeje.

Ndërkohë, pjesa kryesore e “Starship”-it u fut në orbitë dhe lëshoi tetë satelitë të rremë të tipit “Starlink” – një test i rëndësishëm për të vlerësuar aftësitë e saj në vendosjen e ngarkesave në hapësirë.
Pas rreth një ore në orbitë, “Starship” hyri përsëri në atmosferën e tokës, duke testuar për herë të parë një sistem të ri mbrojtës me pllaka të nxehtësisë, të disenjuara për të duruar temperaturat ekstreme pa pasur nevojë për riparime pas çdo misioni – një sfidë e madhe në industrinë hapësinore.
Ky mision testues, i kryer pa ekuipazh, vjen pas disa përpjekjeve të dështuara. Dy prova në janar dhe mars të këtij viti përfunduan me shpërthim disa minuta pas nisjes, ndërsa një tjetër në maj dështoi kur raketa humbi kontrollin dhe u shkatërrua.
NASA tashmë ka porositur dy njësi të raketës “Starship” për të zbarkuar astronautë në hënë, ndërsa Elon Musk ka ambicie të qarta për të dërguar njerëz në hapësirë, në vitet e ardhshme.
Ky sukses i fundit i afron më pranë realizimit të misioneve ambicioze ndërplanetare dhe hap një kapitull të ri në eksplorimin e hapësirës.