75 Mall Live Search
12:29 / E Enjte, 06 Prill 2023 / MSH

Rama ankohet për bllokimin e të hyrave vetanake të Komunës, Murati: Të ftoj ta dërgosh në Kushtetuese amandamentin e LDK-së

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka reaguar deklaratës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me bllokimin e të hyrave vetanake të komunave.

Më herët, Rama tha se është i shqetësuar që MF po bllokon hyrjen vetanake të komunave nga vitet paraprake, duke thënë se kjo është hera e parë që një qeveri tenton të tjetërsojë të hyrat vetanake, në mënyrë kundërkushtetuese.

Rama shtoi se nga ky bllokim, Komunës së Prishtinës po i mungojnë në inkasim 28.8 milionë euro.

“Për vitin 2023, Komunës së Prishtinës i kemi ndarë buxhetin e përgjithshëm prej 106 milionë euro, kurse vetëm për investime kapitale buxheti është mbi 40 milionë euro. Pra tek investimet kapitale, buxheti është më shumë se dyfishi i asaj çka ka arritur të realizojë Komuna e Prishtinës në vitin e kaluar” ka reaguar Murati.

Ministri ka deklaruar se kryeqyteti ka arritur të realizojë vetëm 2% të buxhetit prej 40 milionë eurove për investime kapitale, të parapara për vitin 2023.

“Me këtë ritëm, vështirë që arrin ta tejkalojë 50% të buxhetit, e lëre më të tejkalojë shifrën prej 40 milionë eurove. Prandaj edhe pretendimi se Komunës po i bllokohen investimet është totalisht joserioz, kur kihet parasysh që Komunës së Prishtinës çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale” ka shtuar Murati.

Ai ka thënë se sa i përket Nenit 9.6 të Buxhetit që rregullon bartjen e të hyrave vetanake, ai nen është rezultat i amandamentit nga Grupi Parlamentar i LDK-së. Por nëse Rama ka një problem me këtë, mund ta dërgojë edhe në Kushtetuese.

Ky është reagimi i plotë:

Për Prishtinën

Komuna e Prishtinës në vitin 2022 ka arritur të shpenzojë vetëm 64% të buxhetit. Më keq qëndron vetëm Komuna e Fushë Kosovës me 62% realizim të buxhetit.

Për vitin 2022 shpenzimi i përgjithshëm i Komunës së Prishtinës ka qenë 87.3 milionë euro, ndërsa për investime kapitale 18.3 milionë euro.

Për vitin 2023, Komunës së Prishtinës i kemi ndarë buxhetin e përgjithshëm prej 106 milionë euro, kurse vetëm për investime kapitale buxheti është mbi 40 milionë euro.

Pra tek investimet kapitale, buxheti është më shumë se dyfishi i asaj cka ka arritur të realizojë Komuna e Prishtinës në vitin e kaluar.

Përveç buxhetit të rregullt, si Qeveri kemi mbështetur komunën edhe me projekte të tjera siç janë:

– Miratimi në komitetin e PPP të 15.7 milionë eurove për ndërtimin e tri shkollave të reja;

– Mbi 80 milionë euro për zgjerimin e rrjetit të Termokosit dhe shtimin e kapacitetit gjenerues me ngrohje solare, ku shumica janë grant nga BE dhe KfË Gjermane;

– 6.3 milionë euro financim nga BERZH për izolimin dhe rritjen e efiçiencës në ndërtesat publike të komunës, si shkollat, QMF, çerdhet etj. dhe

– Mbi 170 milionë euro për KRU Prishtina, për trajtimin e ujërave të zeza. 

Pra mbi 270 milionë euro investime shtesë për Komunën e Prishtinës, të mundësuara nga Qeveria vetëm këto dy vite.

Sa për informatë, deri në fund të muajit mars 2023, Komuna e Prishtinës ka arritur të realizojë vetëm 2% të buxhetit prej 40 milionë euro për investime kapitale të parapara për 2023.

Me këtë ritëm, vështirë që arrin ta tejkalojë 50% të buxhetit, e lëre më të tejkalojë shifrën prej 40 milionë eurove. Prandaj edhe pretendimi se Komunës po i bllokohen investimet është totalisht joserioz, kur kihet parasysh që Komunës së Prishtinës çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale.

Kurse sa i përket Nenit 9.6 të Buxhetit që rregullon bartjen e të hyrave vetanake, ai nen është rezultat i amandamentit nga Grupi Parlamentar i LDK-së.

Andaj nëse Kryetari nga radhët e LDK-së mendon se ky nen qenka problemi, e ftoj që ta dërgojë në Kushtetuese amandamentin e LDK-së.