75 Mall Live Search
23:48 / E Martë, 13 Qershor 2023 / MSH

Rama anuloi Mbledhjen e dy Qeverive, çka pritej të nënshkruhej nesër?

Kryeministri Edi Rama më herët njoftoi se takimi i planifikuar për nesër mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Shqipërisë, nuk do të ndodhë.

Ndonëse gjithçka ishte gati për takimin që do të zinte vend në Gjakovë, takim ky i nënti mes dy Qeverive, kryeministri Rama tha se në vend se të nisë delegacionin e tij drejt Kosovës, preferon qe të mbajë takim më të ngushtë me Kurtin, me fokus diskutimi situatën në veri të Kosovës.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar” tha mes të tjerash Rama në adresimin e tij.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës deklaruan se anulimi i këtij takimi është në dëm të qytetarëve.

“Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu.

Por cilat ishin pikat e takimit të nesërm?

Në rend të ditës ishin diskutime dhe marrëveshje bilaterale që do të nënshkruheshin, e që i përkasin fushës së doganës, sigurisë, arsimit, inspektimit kufitar, e kështu me radhë.

1. Diskutim në lidhje me Bashkëpunimin për Realizimin e Bashkimit Doganor ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së  Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës.

2. Deklaratë e përbashkët për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Sigurisë në mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

3. Memorandum për Bashkëpunim për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit në mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe  Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

4. Marrëveshje për Bashkëpunim në Lehtësimin e Procedurave në Pikat e Inspektimit Kufitar për Produktet me Origjinë jo Shtazore ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së  Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

5. Marrëveshje për bashkëpunim në fushën fitosanitare ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë, dhe Zhvillimit Rural të Kosovës.

6. Marrëveshje në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

7. Marrëveshje për Bashkëpunim për Realizimin e Olimpiadës së Përbashkët në Lëndën e Gjuhës Shqipe për Klasat e 9-ta, në Arsimin Parauniversitar ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës.

8. Marrëveshje për Shkëmbimin e Përvojave Lidhur me Pjesëmarrjen në Vlerësimet Ndërkombëtare të Nxënësve dhe Zhvillimin Profesional. të Mësuesve ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

9. Marrëveshje për Njohjen e së Drejtës së Ushtrimit të Profesioneve të Avokatit dhe Ndërmjetësit në Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

10. Memorandum për Bashkëpunim për Ofrimin e Shërbimeve Shëndetësore ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës.

11. Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e teatrit ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë, dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

12. Memorandum për Bashkëpunim në Fushën e Zhvillimit të Sipërmarrjes dhe Konkurueshmërisë të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NV M) dhe Startup-eve ndërmjet Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës.

13. Marrëveshje Teknike për Bashkëpunim në Fushën e Mjekësisë Ushtarake ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

14. Memorandum për Bashkëpunim për Lehtësimin e Procedurave të transitit të kalimit të mallrave ushtarake për qëllime dhe nevoja të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

15. Marrëveshje për përdorimin e platformës digjitale E-inspection ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me njoftimin e Ramës, kjo mbledhje është anuluar, teksa akoma nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës mes dy Qeverive dhe se a do të vazhdohet me këto pika që planifikohej të trajtoheshin nesër.