Rama: Bllokimi i të hyrave të Kryeqytetit s’ka lidhje me Parlamentin, por me lojëra politike
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në konferencën e sotme për media ka folur për krizën e vazhdueshme financiare në kryeqytet, duke theksuar se bllokimi i të hyrave vetanake dhe buxhetit po pengon funksionimin normal të shërbimeve komunale. Ai ka akuzuar nivelin qendror për bllokim të qëllimshëm politik të mjeteve të Kryeqytetit.
Gjatë konferencës, një nga pyetjet që iu drejtua Ramës ishte nëse mendon që LDK-ja nuk ka bërë mjaftueshëm për zhbllokimin e situatës. Kryetari e mohoi kategorikisht një lidhje të tillë, duke e cilësuar problemin si lojë të pastër politike.
“Jo, nuk ka të bëjë asgjë. Këto çështje të të hyrave vetanake nuk kanë të bëjnë asgjë me çështjen e buxhetit që ka shkuar në Parlament. E dini ju vetë që ajo ka qenë një lojë politike, prandaj vazhdojnë me lojëra politike,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se të hyrat vetanake të Prishtinës janë bllokuar prej më shumë se 11 muajsh, pa asnjë arsye të arsyeshme ligjore.
“Të hyrat vetanake të Kryeqytetit bllokohen tashmë mbi 11 muaj dhe nuk kanë asnjë lidhje me atë se çka ndodh në Parlament. Ne jemi qeverisje lokale, me të drejta ligjore, me të drejta në buxhetin tonë, me të hyra vetanake – pra janë fonde tona,” tha ai.
Rama theksoi se bllokimi i mjeteve po shkakton pasoja të drejtpërdrejta tek qytetarët.
“Janë aty, vetëm se nuk po na i lëshojnë dhe po i pamundësojnë shërbimet e Kryeqytetit,” përfundoi kryetari.
Ai kërkoi që institucionet qendrore të marrin veprim të menjëhershëm për t’i dhënë fund kësaj situate.

