75 Mall Live Search
18:42 / E Martë, 23 Shtator 2025 / BA

​Rama: Dialogu Kosovë-Serbi një dështim i madh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Kosova nuk duhet të shikoj se çka mendon Serbia por duhet të angazhohet rreth kërkesave që ka Bashkimi Evropian për dialogun dhe integrimin, në të kundërt do të vazhdojë ta izolojë veten gjithmonë e më shumë dhe është për t’u ardhur keq.

Rama në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” në Vjenë, me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga mbi 25 vende të botës, është pyetur për Ballkanin e hapur dhe cështjet e pazgjidhura në mes Kosovës dhe Serbisë, ku tha se është i trishtuar kur sheh që nuk ka aspak përparim në dialogun Kosovë-Serbia, por insistoi që Kosova do të duhej të bënte pjesën e vet.

“Kosova nuk duhet të mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet t’ia dijë se çfarë bën Serbia, por duhet të bëjë pjesën e vet, duhet të bëjë detyrat e veta dhe duhet t’i japë Bashkimit Evropian, të gjitha atë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe duhet të kërkoj të ec përpara. Domethënë, kjo nuk ka të bëjë me përmbushjen apo pranimin e asaj çfarë kërkon Serbia. Kjo ka të bëjë me pranimin e asaj çfarë kërkon Bashkimi Europian dhe ky dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja, që është një dështim i madh, është dështim i madh sepse formati është i gabuar. E kam thënë që prej ditës së parë dhe kjo ndodh sepse është i bazuar në një parim shumë të thjeshtë. Vendet duhet të përmbushin kushtet që lidhen me vlerat, parimet dhe mënyrën e jetesës së Bashkimit Europian. Pra, në qoftë se Kosova do ta bëjë këtë, do të jetë në interesin e saj më të mirë, për të mos ta lidhur veten me Serbinë, për të mos menduar sa të kënaqur apo të pakënaqur do të jenë serbët, po thjesht ta bëjnë këtë gjë. Në të kundërt do të vazhdojë ta izolojë veten gjithmonë e më shumë dhe është për t’u ardhur keq”, tha ai.