75 Mall Live Search
14:02 / E Shtunë, 20 Shtator 2025 / A

Rama: Diskutojnë si do të vjedhë Diella, kur je hajdut aty të rri mendja

Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e ministrit të ri të Drejtësisë, foli për Diellën dhe njoftoi se nuk do të jetë i vetmi ministër “jo njeri” në qeverinë e tij.

Rama theksoi se Diella do t’i shërbente shumë më mirë publikut dhe përmendi shembullin e Kroacisë, që sipas kreut të qeverisë, shpenzoi 7 vjet për të bërë punën që “Diella” po e bën në më pak se 2 vjet.

“Kaq e thjeshtë është diferenca. E gjithë administrata e ministrive duhet të angazhohet shumë fort për ta çuar inteligjencën artificiale në çdo skaj. Përveç reformave, angazhimeve dhe të gjitha rezultateve, na duhet pikërisht inteligjenca artificiale se fizikisht do ishte e pamundur që 4 mijë ligje, akte ligjore të nevojshme për plotësimin e kushteve teknike t’i bënim me përkthyes njerëz. Diella nuk harron asgjë, nuk i ndërhyn askush, nuk ia prish humorin asnjë, nuk fle gjumë, nuk thotë po shkoj të ha ose më hahet prandaj s’po punoj”, shpjegoi Rama.

Kryeministri shpalosi detyrat e ministres virtuale Diella, e cila do të ndërhyjë në rregullimin e problemeve të sistemit që favorizojnë korrupsionin me tenderat publikë. Opozitës që e cilëson Diellën provokim, Rama iu përgjigj se në një kohë të shkurtër, do të ketë disa Diella të tjera në qeveri.

“Mund të jemi të shpejtë dhe kurajozë me proceset që lidhen me Inteligjencën Artificiale për të arritur t’i shërbejmë më mirë publikut. Diskutojnë sot se si do të vjedhë Diella. E keni dëgjuar? Sepse kur je hajdut aty të rri mendja, si do të vjedhë ai tjetri gjënë që do ta vidhje për vete, por s’po të bie rruga andej. Thonë ç’është ky provokim, mëkat, çmenduri, ministër shteti jo njeri. Unë mendoj se në një kohë të shkurtër ministrat jonjeri në një qeveri do të jenë një normalitet”, shtoi Rama.