Rama: Italia, udhëheqëse e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen italiane Giorgia Meloni, në Romë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi takimin mes dy qeverive si një “ditë historike” në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë.
Rama theksoi se për herë të parë dy qeveritë po ulen së bashku për të diskutuar projekte konkrete të përbashkëta, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, mbrojtës dhe procesin e integrimit evropian, shkruan Euroneës.al, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi mbështetjen e Italisë si “motrës së madhe” në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe nënvizoi rolin e posaçëm të Romës në fazën e ardhshme të negociatave.
“Në vitin 2028, kur Italia do të mbajë kryesinë e Këshillit Evropian, do të jemi në duar të sigurta”, u shpreh Rama, duke theksuar se Shqipëria është gati të përfundojë negociatat teknike dhe të nisin ato politike nën drejtimin e Melonit.
“Qershia mbi tortë është se në vitin 2028 Italia do të mbajë kryesinë e Këshillit Evropian, kur Giorgia do të mbajë edhe postin e kryeministres dhe atë të drejtimit të Këshillit Evropian. Pasi të kemi përfunduar negociatat teknike në fund të vitit 2028, do të mund të nisim negociatat politike. Nëse dhe kur do t’i nisim këto negociata, përgjegjësia do të jetë e Giorgias. Ne do të jemi në duar të sigurta, me tema reale të mundshme, të mund të hapim atë derë që qëndron e mbyllur prej qindra vitesh. Dhe ne, siç e thashë dhe e kam thënë, jemi gati të bëjmë një marrëveshje me BE-në për të mos përdorur as veton, as votën. Nuk na intereson, ne jemi gati të nënshkruajmë që mund të përfaqësohemi nga komisionari evropian italian, pasi do të ishte shumë të kishim dy komisionerë, sepse ne jemi i njëjti vend. Ju falënderoj për këtë mikpritje të jashtëzakonshme”, tha Rama.
“Kjo është një ditë historike, vërtet historike. Për herë të parë qeveria shqiptare ulet me qeverinë italiane për të folur për projekte të përbashkëta, por edhe për një të ardhme të përbashkët, si dhe për të bërë një bilanc të gjërave që janë bërë, për të firmosur marrëveshje konkrete për projekte konkrete. Nuk kam pasur kurrë dyshime mbi qëllimet e mira dhe dashurinë për të bërë mirë nga të gjitha qeveritë e Italisë, ndërsa me këtë qeveri është dashuria për të bërë, por edhe për të bërë më shumë. Jemi shumë mirënjohës, jo vetëm motrës së madhe, motrës sime por edhe ministrat që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të gatshëm për të na ndihmuar. Shpresoj të mos merret për keq kur unë them se, falë angazhimit vëllazëror të ministrit të Mbrojtjes së Italisë, sot ne jemi në gjendje të projektojmë në disa drejtime, konkretisht për të fuqizuar aftësitë tona të mbrojtjes, por edhe aftësitë mbrojtëse të përbashkëta”, shtoi kryeministri.
“Kemi edhe pjesën e kulturës, që nëse nuk do të ishte e pranishme kultura, as Italia nuk do të ishte kjo që është. Kjo gjë e nderon ministrin e Kulturës. Më në fund, pas kaq shumë vitesh, kemi një marrëveshje konkrete për të bërë bashkë një strukturë me rëndësi të madhe, siç është “MAXXI” i Romës, së bashku me Galerinë tonë Kombëtare. Shpresoj që Muzeu i Artit Italian në Shqipëri të bëhet një fakt konkret dhe të jeni ju që do të hapni dyert e këtij muzeu”, tha ai./Indeksonline/

