75 Mall Live Search
22:00 / E Martë, 27 Qershor 2023 / shkelqim osmanaj

Rama konferencë me Stoltenberg: Shpresojmë që situata në veri të Kosovës të qetësohet

Kryeministri Edi Rama ka sjellë sërish në vëmendje situatën e tensionuar në veri të Kosovës gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Holandë.

Në konferencë mbajtën fjalën e tyre Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Kryeministri i Holandës, Belgjikës dhe Norvegjisë si dhe Presidenti i Rumanisë, Polonisë dhe Lituanisë.

Teksa theksoi se shpreson që logjika të mbizotërojë dhe situata të qetësohet sa më shpejt, kreu i qeverisë shtoi se ulja e përshkallëzimit është e nevojshme që e gjithë puna e bërë deri më tani në rajon të mos zhbëhet.

“Dua të përdor këtë minutë që mund të diskutojmë edhe për situatën shqetësuese në Ballkanin Perëndimor. Në Kosovën veriore, disa ushtarë të KFOR u lënduan. Shpresojmë shumë që logjika të mbizotërojë dhe ulja e përshkallëzimit të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur…Nuk duam  thyerje në rajonin tonë ku janë bërë shumë punë të mira deri tani.”

Në prani të Stoltenberg, Rama theksoi se nëpërmjet NATO-s, KFOR do të vijojë të jetë në veri të Kosovës për të garantuar stabilitetin në rast të një përshkallëzimi.