12:42 / E Martë, 25 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Rama: Coronavirusi s’luftohet me politikë, po bëjmë çdo gjë sipas planit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me anë të një statusi në Twitter në lidhje me rrezikun nga coronavirusi.

Rama bën të ditur se janë marrë të gjitha masat në një bashkëpunim të ngushtë edhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Coronavirusi s’luftohet me politikë, as me gjithollogji dhe aq më pak me frikë dhe lëre pastaj me panik! Ne kemi qysh momentin e parë të shfaqjes së tij që përgatitemi, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kemi bërë e po bëjmë çdo gjë sipas planit”.

“Dhe në krye të të tërë delenxhinjve e parazitëve që lëshohen mbi publikun në nevojë për informacion, kanë dalë përsëri, si gjithnjë, politikanët e së keqes që duan kaos, rrëmujë, dëshpërim, në përpjekjen e dëshpëruar për të kthyer të shkuarën që i ka marrë me vete përgjithnjë”, ka shkruar Rama në Twitter.