Rama: Kosova duhet ta harrojë Serbinë, lë të merret Evropa me të

Në një tryezë të zhvilluar në Londër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u pyet për dialogun Kosovë-Serbi.
Gjatë fjalës së tij, Rama nënvizoi se është shumë e rëndësishme që Kosova të punojë dhe të plotësojë të gjitha pikat e dialogut dhe kriteret.
Gjithashtu, ai tha se Kosova tashmë është një shtet i ri demokratik dhe i njohur nga fuqitë e mëdha, duke shtuar se çështjen nuk duhet ta lënë të shndërrohet në problem të tyre por të punojnë për të ecur përpara dhe të lënë Evropën të merret me Serbinë.
“Nuk shoh çështje territoriale. Kosova është republikë, një shtet i ri demokratik, i njohur nga fuqitë e mëdha dhe ende jo i njohur nga pesë vende nga BE-ja. Në këtë drejtim, nuk shoh problem. Nga ana tjetër i takon Kosovës që të shtyjë përpara dhe të bindë pjesën tjetër për pozicionin e konsoliduar, sa i takon vlerave në botën demokratike të BE-së. Që të jetë e suksesshme Kosova duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha pikat e dialogut. T’ia lënë topin në fushë Serbisë, të lërë Evropën të merret me Serbinë. Dhe jo ta lërë çështjen të shndërrohet në fajësim të tyre”, tha Rama.