75 Mall Live Search
18:28 / E Mërkurë, 16 Shtator 2020 / indeksADMonline

Rama: Kufiri detar të zgjidhet me Gjykatë Ndërkombëtare

Një gjykatë ndërkombëtare për kufijtë detarë, që vendos për çështjen e detit duket të jetë zgjidhja që merr më shumë konsensus nga palët këtej dhe andej kufirit, jo vetëm për autoritetin e pakontestueshëm të gjykatës por edhe për faktin që shmang tonet patriotike të fitoreve, eviton akuzat për tradhti dhe zbut shqetësimet për marrjen me pa të drejtë të territorit detar në të dy anët e kufirit.

Kjo ide, e artikuluar edhe më parë, është përmendur sot nga nga kryeministri shqiptar Edi Rama në forumin ku ai ndodhet në Athinë dhe duket të jetë zgjidhja më e afërt për çështjen që qëndron pezull tashmë prej vitesh mes dy vendeve.

“Unë kam një ide të thjeshtë që e kam paraqitur më parë dhe shpresoj që sa më shpejt të arrijmë dakordësi. Kur bëhet fjalë për zona detare ta zgjidhim çështjen me të tjerë, nëpërmjet një pale të tretë apo edhe gjykatave ndërkombëtare. Kjo të jetë e drejtë dhe të mos përdoret nga patriotët atje dhe këtu”,  u shpreh Rama.

Përfshirja e Gjykatës ndërkombëtare në këtë proces kthen në pikën zero edhe debatin për 12 miljet, të përmendura disa herë nga grekët, si një dakortësi që iu ishte konfirmuar nga pala shqiptare në negociatat e para 2 viteve, kur kryeministër ishte Cipras dhe tani që kryeministër është Mitsotakis.