Rama: Kush prish zgjedhjet, do t’i ndalohet hyrja në SHBA dhe BE
Nëse një qytetar tenton të pengojë procesin zgjedhor duke e cenuar atë, atëherë do të ketë ndëshkime të rënda – që siç kryeministri Edi Rama zbuloi për herë të parë, do u ndalohet përjetësisht hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Edi Rama përsëriti disa herë me vendosmëri se nuk do të heqë dorë nga posti i tij, për sa kohë ka marrë besimin e qytetarëve për një mandat të plotë, të cilin ai e quajti një luftë për të ndryshuar vendin, të cilën nuk do ta lë përgjysmë. Në një takim në Pallatin e Kongreseve me kandidatët socialistë për kryebashkiakë, Rama u kërkoi atyre që edhe pse nuk kanë kundërshtarë në të shumicën e bashkive, fushatën elektorale ta shfrytëzojnë për të lidhur sa më shumë kontakte me njerëzit.
Qëllimi -tha Rama – është që atyre tu përcillet qartë mesazhi, se përtej çdo dyshimi, më 30 qershor do të mbahen zgjedhjet vendore. Po ashtu, kreu i qeverisë i la porosi kandidatëve të tij, tu bëjnë tu tregojnë qytetarëve duke trokitur derë me derë se çfarë ndëshkimesh të rënda parashikon Kodi Penal, në rast se dikush tenton të bëhet pjesë e skenarëve të mundshme të opozitës jokuvendore për të penguar dhe bllokuar procesin zgjedhor.
Rama foli në emër të dy ambasadave më të mëdha në vend, duke thënë se kush prish zgjedhjet, do ju mohohet hyrja në Amerikë dhe vendet e Unionit Evropian.
Kryeministri tha se ishte zgjedhje e opozitës joparlamentare për të mos marrë pjesë në zgjedhje, ku edhe mund të kishte fituar disa bashki, por se ai vetë nuk do të lejojë që procesi zgjedhor të merret peng.
Në rast mos hyrjeje në zgjedhje, kryetari i PS-së tha se Lulzim Basha rrezikon largimin nga partia. Pas 30 qershorit – tha kryeministri – do të jenë vetë demokratët që do të kërkojnë largimin e Lulzim Bashës, kur të kuptojnë pasojat politikë të mos marrjes pjesë në zgjedhje. Kryeministri i ndali akuzat e tij më të shumta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin tha se më shumë se sa vdekja, ka frikë nga përballja me drejtësinë.
Përpos të gjithave, nuk ndali edhe një herë thirrjen për dialog me kryedemokratin Lulzim Basha, për tu ulur pa asnjë kusht nga ana e tij, pa cenuar kushtetutën, siç mund të jetë ndryshimi i datës së zgjedhjeve, një pikë e panegociueshme sipas kreut të qeverisë, dhe jo në dorën e tij.