75 Mall Live Search
15:26 / E Premte, 18 Prill 2025 / mp

Rama: Ndalimi i punimeve në Sheshin “Xhorxh Bush” është ndërhyrje e paligjshme dhe tendencioze

Zyra për Komunikim e Kryeqytetit njofton opinionin publik se sot, në një konferencë për media të mbajtur në sheshin “Xhorxh Bush”, Kryetari Përparim Rama ka adresuar shqetësimin lidhur me ndalimin e punimeve në këtë zonë nga institucionet qendrore. Kryetari e cilësoi këtë veprim si ndërhyrje të paligjshme dhe të qëllimshme, e cila cenon të drejtën e Prishtinës për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe kulturor.

“Për herë të dytë, Qeveria Qendrore ka ndërprerë punimet në një projekt që synon transformimin e kësaj hapësire në shërbim të qytetarëve. Arsyetimet për këtë ndërhyrje janë të pabazuara dhe joligjore nga  institucionet që duhet të jenë të pavarura e që po përdoren për qëllime politike,” tha Kryetari Rama.

Ai theksoi se projekti në këtë shesh është konceptuar me qëllimin për të modernizuar hapësirën publike, duke integruar dhe promovuar trashëgiminë kulturore si pjesë të identitetit dhe zhvillimit ekonomik të qytetit dhe jo për të cënuar atë.

Pavarësisht ftesës për debat publik, nuk ka pasur gatishmëri nga Ministri për t’u përballur me të vërtetat para qytetarëve.

“Kryeqyteti do të vazhdojë të mbrojë të drejtën për zhvillim dhe do të vazhdoj me procedura ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin” përfundoi Kryetari Rama.